Nuk janë të pakta rastet që kanë mbërritur në redaksinë e Iconstyle vitet e fundit, ku qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar biznese të papërgjegjshme apo dashakeqe që përfitojnë duke shitur mallra të falsifikuara. Me premtimin e “firmave origjinale” dhe çmimeve të ulëta, shumë prej tyre kanë mashtruar konsumatorët shqiptarë, duke i pajisur me produkte pa cilësi, të cilat nuk kanë as garanci, as vlerë të vërtetë. Ky realitet ka kthyer Shqipërinë në një treg të mbushur me “imitime luksi”, ku Gucci, Louis Vuitton apo Dior janë bërë emra të zakonshëm në reklama online, por në fakt shumica e produkteve ishin “fake”.
Me hyrjen më në fund në fuqi të ligjit të ri për markat tregtare më 16 gusht, kjo situatë pritet të ndryshojë ndjeshëm. Teksa deri dje ishte e zakonshme të porositje online një çantë “imitim të parë” ose të gjeje në rrugicat e qyteteve dyqane që shisnin rroba të stampuara me logo firmash botërore, tani çdo mall i tillë do të ndalet në pikat doganore. Ligji i ri i bën të paligjshme importin dhe eksportin e produkteve që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, duke i dhënë fund një tregu të ndërtuar mbi mashtrim dhe fitim të padrejtë.
Përveç tregtarëve, rregullat prekin edhe udhëtarët. Kushdo që hyn në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësore apo detare, mund të ketë me vete vetëm mallra jo tregtare, brenda kufijve duty free dhe pa tregues të dyshimtë. Pra, edhe një çantë apo një palë këpucë të blera jashtë vendit, nëse janë imitime të markave të njohura, rrezikojnë të konfiskohen nga dogana.
Ky ligj sjell disa risi të rëndësishme. Ai i njeh pronarëve të markave të famshme jo vetëm të drejtën për të ngritur padi kundër imituesve, por edhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet që u janë shkaktuar. Në nenin 87 parashikohet qartë se çdo përdorim i paautorizuar i një marke të mbrojtur mund të penalizohet, duke detyruar abuzuesit të paguajnë shumat përkatëse. Për më tepër, pronarët e markave kanë mundësinë të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale, nëse konstatojnë ngjashmëri të rrezikshme me markat e tyre.
Shqipëria ka vite që është kthyer në një “qendër tregtare” për mallrat e falsifikuara, duke rivalizuar tregje si ai turk. Dyqane fizike, por sidomos ato online në rrjete sociale, kanë ofruar çanta, syze, këpucë dhe veshje me logot e firmave luksoze, duke i prezantuar si “imitime të para”. Për shumë konsumatorë, këto produkte ishin e vetmja mundësi për të pasur një “luksoz” në garderobë, por në të vërtetë ishin një mashtrim i pastër.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2024 Dogana shqiptare ka sekuestruar mbi 40 mijë produkte të falsifikuara. Por ky numër tregon vetëm sipërfaqen e problemit, pasi pjesa më e madhe e mallrave kanë hyrë lirshëm dhe janë shitur pa kontroll.
Përfitimi nga tregu i produkteve “fake” nuk ka qenë vetëm një çështje estetike apo mode, por një problem serioz ekonomik. Nga njëra anë, bizneset e ndershme që importojnë mallra origjinale janë dëmtuar drejtpërdrejt, duke humbur klientë. Nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar, duke paguar për produkte të cilat nuk kanë as garanci dhe shpesh janë të dëmshme për shëndetin, sidomos në rastin e kozmetikës apo këpucëve me materiale toksike.
Një Shqipëri pa treg të mallrave “fake” do të thotë një treg më transparent, më i ndershëm dhe më i sigurt për konsumatorin.
Megjithatë, sfida e vërtetë do të jetë zbatimi. Ligjet janë vetëm në letër nëse institucionet nuk kanë kapacitetin dhe vullnetin për t’i zbatuar. Nëse doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale nuk do të kenë një kontroll të rreptë, ekziston rreziku që tregu “fake firmato” të gjejë sërish rrugë alternative.
Për momentin, vendimi është një goditje e rëndësishme ndaj gjithë atyre që kanë pasuruar veten duke shitur mashtrime të mbështjella me logot e firmave botërore. Dhe për konsumatorët shqiptarë, ky është një hap drejt një tregu më të pastër, më të drejtë dhe me më shumë garanci.