Ballina Lifestyle ​Adidas akuzohet për përvetësim kulturor, i kërkon falje komunitetit indigjen në Meksikë

​Adidas akuzohet për përvetësim kulturor, i kërkon falje komunitetit indigjen në Meksikë

0
14

Kompania gjermane Adidas ka kërkuar falje publike ndaj një komuniteti indigjen në Meksikë pasi përdori sandalet tradicionale të punuara nga artizanët lokalë si frymëzim për një model të ri.

Atletja, e quajtur ‘Oaxaca Slip-On’, ngjalli kritika dhe akuza për përvetësim kulturor, sepse ishte frymëzuar nga huaraches, sandalet tradicionale prej lëkure të bëra nga indigjenët meksikanë.

Presidentja Claudia Sheinbaum gjithashtu e trajtoi këtë çështje, sipas ANSA.

Karen González, drejtoreshë ligjore e Adidas Mexico, pranoi se këpuca ishte dizajnuar mbi bazën e një modeli tradicional nga komuniteti Villa Hidalgo Yalalag.

“Ne e kuptojmë se kjo mund të ketë shkaktuar shqetësim dhe për këtë arsye, kërkojmë falje publike”, tha ajo gjatë një ceremonie zyrtare. Ajo gjithashtu siguroi se, nga tani e tutje, Adidas do të kërkojë udhëzimin dhe bashkëpunimin e komunitetit për modelet e ardhshme, duke respektuar kulturën lokale, e cila mbështetet tek artizanati për mbijetesën e saj.

Pas lançimit në fillim të gushtit, këpuca që shkaktoi polemika u hoq nga shitjet online.

Qeveria meksikane ka njoftuar se do të kërkojë dëmshpërblim financiar nga Adidas.