Tani është zyrtare: Milorad Dodik nuk është më president i Republika Srpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës. Më 18 gusht 2025, Gjykata Supreme e B-H hodhi poshtë ankesën e tij kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të revokuar mandatin e tij dhe për t’ia ndaluar atij aktivitetin politik për gjashtë vitet e ardhshme.
Kjo i jep fund një procesi dyvjeçar – por zbatimi i vendimit nuk do të jetë i lehtë, pasi Dodik nuk do të japë dorëheqjen pa luftuar. “Unë nuk do ta respektoj këtë. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ata ishin të paturpshëm dhe arrogantë, dhe presin që unë të nënshtrohem. Unë nuk do ta bëj këtë,” tha Dodik në një reagim.
Dodik theksoi gjithashtu se ai mbetet president i pjesës së dominuar nga serbet e Bosnjës. “Populli më zgjodhi, unë nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj! Ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë tonën. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen përsëri,” deklaroi Dodik. Kjo e vë B-H në prag të një krize kushtetuese.
Në ditët në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë, do të shpallë zgjedhje të parakohshme për postin e presidentit të RS-së. Udhëheqja e RS-së në Banja Luka ka njoftuar tashmë se do ta parandalojë këtë votim, “nëse është e nevojshme me përdorimin e policisë”.
Kjo do të tensiononte marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë të tre popujve shtetformues të Bosnjës – boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), kroatëve dhe serbëve. Një luftë e përgjakshme shpërtheu në B-H nga viti 1992 dhe përfundoi në fund të vitit 1995 me Traktatin e Paqes së Dejtonit.
Dodikut duhet t’i merret pasaporta diplomatike
Qeveria boshnjake ka njoftuar tashmë se mosrespektimi i vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq – një boshnjak – nisi procedurat për revokimin e pasaportës diplomatike të Dodikut, pasi ai nuk është më në detyrë. Në RS, Asambleje Kombëtare pritet që të merret një vendim për të mbajtur një referendum.
Referendum mbi pavarësinë e RS?
Ndërkohë, Dodik – i cili nuk është më ligjërisht president i Republika Srpska – ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit të entitetit të dominuar nga serbet të Bosnjës dhe ka njoftuar emërimin e një kreu të ri të qeverisë. Meqenëse presidenti është i vetmi institucion në RS që mund të emërojë kreun e qeverisë, një veprim i tillë mund ta çojë të gjithë qeverinë e RS para Gjykatës Kushtetuese të B-H, pasi është emëruar në mënyrë të papërshtatshme ligjore.
Dodik ka njoftuar dhjetëra referendume mbi pavarësinë e RS gjatë njëzet viteve të fundit – por vetëm një u zhvillua dhe rezultatet u anuluan. Këtë herë, megjithatë, situata është më ndryshe, pasi politikani serb nuk është gjendur kurrë në një situatë kaq të keqe sa tani, pas largimit të tij nga detyra dhe ndalimit të aktivitetit politik. Shumë vëzhgues besojnë se Dodik nuk ka më asgjë për të humbur – dhe për këtë arsye do të vazhdojë me planin e tij këtë herë, por këtë do ta dëshmojnë ditët dhe javët e ardhshme.
Opozita e RS e ndarë
Ndërkohë, opozita në RS po përpiqet të bjerë dakord për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por kjo do të jetë e vështirë: Kryetari aktual i Banja Lukës dhe kreu i Partisë Demokratike Progresive (PDP) të opozitës, Drashko Stanivukoviq, ashtu si Dodik, është kundër zgjedhjeve të reja.
Stanivukoviq akuzoi diplomatin më të rëndësishëm ndërkombëtar në Bosnjë, Përfaqësuesin e Lartë, i cili mbikëqyr edhe zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, si përgjegjës për krizën në vend. Ai ka miratuar edhe ligjin sipas të cilit Dodik u dënua. Që nga gushti i vitit 2021, ish-ministri gjerman i Bujqësisë Christian Schmidt (CSU) është Përfaqësues i Lartë në B-H.
Për partitë e tjera opozitare të RS, kjo është një shenjë e qartë se Stanivukoviq është në anën e Dodikut. “Maskat kanë rënë. Stanivukoviq duhet të veprojë siç thonë [Aleksandar] Vuçiqi [presidenti i Serbisë] dhe Dodik. Ai po dirigjohet prej tyre, në mënyrë që t’i shkaktojë sa më shumë dëme opozitës. Për të parandaluar unitetin”, komentoi kreu i Listës për Rend dhe Ligj (LPR), Nebojsha Vukanoviq.
Serbia nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit për serbët e Bosnjës në vitin 1995. Fqinji lindor i B-H njoftoi, se vendimi kundër Dodikut është “goditja më e rëndë politike për popullin serb që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit” dhe populli serb “nuk do të heshtë për këtë”.
Hungaria dhe Rusia mbështesin Dodikun
Mbështetja për Dodikun erdhi nga Hungaria. Kryeministri Viktor Orban ka deklaruar se Dodik është dënuar vetëm pse “refuzon të luajë lojën e Brukselit”. Hungaria nuk do ta pranojë vendimin kundër Dodikut, tha ai. Mbështetje Dodikut i ka ardhur edhe nga ambasada ruse në Sarajevë.
Por Kroacia, si vend fqinj, ka një qëndrim krejt tjetër. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq i bëri thirrje Dodikut të respektojë vendimin dhe të shmangë destabilizimin e Bosnjës. Kroacia nënshkroi po ashtu Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit në vitin 1995 në emër të kroatëve të B-H.
Dodiku nuk është presidenti i parë i RS që i ndalohet aktiviteti politik. Në vitin 1999, Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm Carlos Westendorp shkarkoi Presidentin e RS-së, Nikola Poplashen. Kryeministri i atëhershëm e mbështeti shkarkimin. E kryeministër ishte: Milorad Dodik që tani është shkarkuar dhe dënuar.