Pas prokurores Elsa Gjeli dhe gjyqtarit Hazbi Balliu, kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për vendimin e një tjetër gjyqtari, Klarent Demiri.
Edi Rama: Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.
Një gjë është pak po e sigurtë, ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së tyre zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për Gjelin dhe për Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.