Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Evropë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në pikat e karburanteve një litër naftë kushton mesatarisht 174 lekë.. me kursin aktual të këmbimit 2.08 dollarë.
Në Ballkanin Perëndimor, në vendin e dytë renditet Serbia me një litër naftë që shitet për rreth 1.9 dollarë në pikat e karburanteve. Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, lënda djegëse në Shqipëri kushton gati 2-fish më shumë.
“Krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi ka shumë diferencë. Jemi shumë më të shtrenjtë.”, thotë një drejtues automjeti.
Në Evropë, çmim më të shtrenjtë të naftës ka Islanda, Lihtenshtejni, Zvicra dhe Danimarka. Shqipëria, e renditur e pesta ndërkohë le pas shtete si Irlanda apo Monako e njerëzve më të pasur të botës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.5 euro.
“Na ka ikur truri. Janë rritur çmimet. Nuk është e këndshme po… Shumë të shtrenjta në krahasim me rrogat që marrim”, thotë një tjetër.
Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Në bursë, çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton nga 750 një muaj më parë. Po ashtu, dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.
“I bëjmë rritje kryeministrit të hapi rafineritë që të ulet çmimi. Janë çmimet më të larat në vitet e fundit.”
Shqipëria ka importuar këtë vit më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në harkun e muajve janar-qershor u blenë nga jashtë mbi 345 mijë tonë karburant. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, importet janë zgjeruar me mbi 44 mijë tonë.