Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dyshohet se i premtoi homologut të tij rus Vladimir Putin në vitin 2000 se do të shqyrtonte mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në NATO.
Kështu të paktën zbulohet nga dokumentet e deklasifikuara të publikuara të enjten nga organizata kërkimore e Arkivit të Sigurisë Kombëtare të Universitetit Metropolitan George Washington.
“Që nga fillimi i procesit të zgjerimit të NATO-s, e dija se kjo mund të ishte problem për Rusinë. Isha i ndjeshëm ndaj kësaj dhe dua që të kuptohet se zgjerimi i NATO-s nuk e kërcënon Rusinë në asnjë mënyrë”, citohet të ketë thënë Clinton në procesverbalin e bisedës së tij me Putinin në Kremlin më 4 qershor 2000.
Ky dokument u hartua nga Shtëpia e Bardhë, siç sqarohet në një raport të TASS duke cituar dosje të deklasifikuara.
“Rusia duhet të jetë pjesë e çdo organizate që e mban botën e qytetëruar të bashkuar. E kam seriozisht diskutimin e anëtarësimit të Rusisë në NATO”, tha Clinton.
“E pranoj që shqetësimet brenda Rusisë do ta pengojnë një zhvillim të tillë për momentin, por me kalimin e kohës Rusia duhet të jetë pjesë e çdo organizate që e mban botën e qytetëruar të bashkuar. Nëse pasardhësit tanë përqendrohen në kërcënimet kryesore që kanë ndaj njëri-tjetrit ata do ta humbasin mundësinë për të adresuar së bashku probleme të tjera”, vuri në dukje ai.
Clinton theksoi se rusët kanë një konotacion negativ për NATO-n por sipas tij duhet të shihet se Evropa qendrore nuk ndihet e kërcënuar nga Rusia.
“E kuptoj që për shumë rusë, NATO ende ka një konotacion negativ. Megjithatë, shpresoj se do të shihni se shtetet e Evropës Qendrore nuk ndihen të kërcënuara nga Rusia. Ne duam të ndihmojmë. Konkretisht, duhet të përpiqemi të biem dakord tani se si do të duket bota në dhjetë vitet e ardhshme. Jam serioz kur e bëj këtë propozim”, tha ai sipas dokumenteve të deklasifikuara.
Klinton shtoi se ishte i kënaqur me rifillimin e bashkëpunimit midis Rusisë dhe NATO-s. Siç raportohet nga TASS, në shkurt 2024, në një intervistë me Tucker Carlson, Vladimir Putin deklaroi se Rusia mund të ishte bërë anëtare e NATO-s nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin shprehur dëshirën e tyre të sinqertë në fillim të viteve 2000. Putini kujtoi takimin e tij me Clintonin në vitin 2000 në Kremlin.
“E pyeta: ‘Dëgjo Bill, nëse Rusia do të ngrinte çështjen e anëtarësimit në NATO, a mendon se do të ishte e mundur?’ dhe ai ndërsa Clinton u përgjigj: ‘E di, është interesante, mendoj se po.’
Putin shtoi se kur u takuan për darkë, ai tha se kishte folur me ekipin e tij dhe se kjo që ishte e pamundur për momentin.
“Nëse ai do të kishte thënë ‘Po’, procesi i afrimit do të kishte filluar dhe në fund të fundit pranimi i Rusisë në NATO mund të kishte ndodhur nëse do të kishim parë një dëshirë të sinqertë nga partnerët tanë për këtë”, tha udhëheqësi rus.