Ballina Lifestyle Glen Powell thotë se nuk është personi i duhur për të luajtur...

Glen Powell thotë se nuk është personi i duhur për të luajtur James Bond-in për këtë arsye befasuese

18
0

Glen Powell nuk intrigohet aspak nga mundësia për të luajtur rolin e James Bond.

Në një intervistë për The Hollywood Reporter, në kuadër të një artikulli të gjatë për serialin e tij të ri komik me temë sportive Chad Powers, aktori 36-vjeçar i hodhi poshtë pa mëdyshje zërat se ai mund të trashëgojë rolin legjendar të agjentit 007 në ekranin e madh.

“Jam nga Teksasi. Një teksan nuk duhet të luajë James Bond-in”, tha ylli i Top Gun: Maverick. “Unë dhe familja ime bëjmë shaka, mund të luaj ‘Jimmy Bond’, por jo James Bond”.

Agjenti ikonik i shërbimit sekret britanik MI6, i sjellë në ekran nga romanet e spiunazhit të Ian Fleming të viteve 1950–1960, është interpretuar deri tani vetëm nga aktorë anglezë dhe irlandezë, me Daniel Craig si më i fundit në këtë rol.

Ende nuk është bërë ndonjë njoftim zyrtar për kastin e filmit të ardhshëm të James Bond, i cili do të realizohet nga Amazon MGM Studios, me Denis Villeneuve si regjisor dhe Steven Knight si skenarist.

Rekomandimi i Powell për këtë rol?

Zgjidhni një britanik të vërtetë për atë punë”, i tha ai The Hollywood Reporter. “Ai është personi që i shkon atij smokingu”.

Powell, që është kthyer në një aktor kryesor falë suksesit të filmave Anyone But You, Twisters dhe Hit Man, do të vijojë karrierën me filmin e ardhshëm The Running Man, i drejtuar nga Edgar Wright dhe bazuar në romanin e Stephen King.

Ky film, një ripunim i versionit të vitit 1987 me Arnold Schwarzenegger, pritet të dalë në kinema më 14 nëntor.

Ndërkohë, seriali Chad Powers, i krijuar nga Powell dhe Michael Waldron, bazuar në një personazh të krijuar nga producenti Eli Manning, do të ketë premierën në Hulu më 30 shtator.