Ballina Sport Napoli dhe Inter, pretendentët e mëdhenj në sezonin e ri të Serie...

Napoli dhe Inter, pretendentët e mëdhenj në sezonin e ri të Serie A

17
0

Ta mbrosh titullin është më e vështirë se ta fitosh atë. Këtë e di shumë mirë një ekspert si Antonio Conte, që bashkë me Napolin e tij do të nisin sezonin e ri të Serie A si kampionë të Italisë.

Napolitanët projektohen sërish favoritë në edicionin e ri që ngre siparin këtë fundjavë. Duke qëndruar te parashikimet, ashtu si në edicionin e kaluar, të bësuarit e Conte ndajnë kuotat më të larta me Inter në garën për “Scudetto”.

Napolitanët janë forcuar shumë në merkato, duke sjellë energji të reja, por edhe klas e eksperiencë me Kevin De Bruyne. Gjithsesi, dëmtimi i Lukaku në vigjilje të premierës prishi planet e tyre.

Më i vonuar në merkato ka qenë Inter, që deri tani ka bërë vetëm prekje estetike me afrimet e reja, ndërsa duhet parë nëse trajneri Kristian Chivu do të ruajë trashëgiminë e lënë nga Inzaghi.

Por ky fakt nuk i frikëson parashikimet, që ashtu si në vitet e fundit e vendosin skuadrën zikaltër në vijën e parë të nisjes.

Më pas në parashikime, por jo në pritshmëritë e tij qëndroj Juventus.

“Zonja e Vjetër” është gjithashtu pas në merkato, por duke nisur nga trajneri Igor Tudor në klubit torinez nuk janë të shqetësuar.

Tekniku thotë se ka një skuadër competitive, që pritet të forcohet më shumë me Kolo Muani dhe Edon Zhegrovën.

Gara e titullit në sezonin e ri të Serie A ka një të panjohur të madhe, që mund të jetë vendimtare në një kampionat të gjatë.

Ai është Milan, skuadra kuqezi që niset pas një revolucioni të vërtetë. Duke nisur me një ekspert të vërtetë në pankinë si Masimiliano Allegri dhe me një tjetër në fushë si Modriç.

“Djalli” qëndron pas pretendentëve, por ka një plus më shumë, faktin që nuk do të luajë në Kupat e Europës dhe të gjitha energjitë do të jenë të përqëndruara te Serie A.