Ballina Aktualitet Omni Bridgeway i kërkon Gjykatës Federale të Uashingtonit të konfiskojë pasuritë e...

Omni Bridgeway i kërkon Gjykatës Federale të Uashingtonit të konfiskojë pasuritë e Shqipërisë

37
0

Pas 130 milionë eurove të Becchettit, Shqipërisë i vjen një tjetër rrezik i madh konfiskimi. Financuesi i çështjeve gjyqësore Omni Bridgeway po i kërkon një gjykate federale në Uashington që ta lejojë atë të sekuestrojë asetet që i përkasin Shqipërisë, ndërsa synon të zbatojë një vendim arbitrazhi me vlerë rreth 13 milionë dollarë që qeveria shqiptare e ka injoruar për vite me radhë, në një mosmarrëveshje gati dhjetëvjeçare që rrjedh nga taksat mbi koncesionet e naftës.

Omni Bridgeway i kërkon Gjykatës Federale të Uashingtonit të

Konflikti në fjalë përfshin qeverinë shqiptare dhe kompaninë GBC Oil Co.Ltd, një kompani e regjistruar në ishujt Cayman me pronarë shqiptarët, Naim Kasa, Kreshnik Greza dhe amerikanin Mark Crawford, ish kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

GBC, e cila tashmë përfaqësohet nga Omni, fitoi një arbitrazh prej 13 milionë dollarësh kundër Shqipërisë në vitin 2020 nga gjykata e arbitrazhit ICC në Zvicër. Gjoba kundër Shqipërisë u rikonfirmua në shkurt të këtij viti nga Gjykata Federale e Uashingtonit.

Omni Bridgeway i kërkon Gjykatës Federale të Uashingtonit të

Vendimi i Gjykates se Uashingtonit per njohjen e gjobes ndaj Shqiperise

“Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur gjykatësja i distriktit amerikan Loren L. AliKhan konfirmoi vendimin në një vendim në mungesë dhe më shumë se 3.5 muaj që kur ky vendim iu dorëzua zyrtarisht Shqipërisë,” argumentoi Omni Bridgeway me një deklaratë të shkurtër për gjykatën.

Financuesi thotë se pavarësisht se ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të njoftuar Shqipërinë për vendimin, ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë. “Kjo do të thotë se është koha që gjykata të na lejojë të fillojmë sekuestrimin e aseteve të Shqipërisë,” argumentoi Omni Bridgeëay.

“Të paditurit (qeveria shqiptare) nuk kanë përmbushur asnjë pjesë të vendimit; ata nuk kanë ndërmarrë asnjë hap drejt përmbushjes së vendimit; dhe ata nuk kanë bërë asnjë deklaratë në lidhje me ndonjë plan për të përmbushur vendimin”, thuhet në shkresën drejtuar Gjykatës nga Omni.

“As Republika e Shqipërisë nuk ka miratuar ose propozuar ndonjë legjislacion për të lehtësuar pagesën e vendimit. Mosparaqitja e plotë e të paditurve në këtë procedurë konfirmon se Shqipëria nuk ka plane për të përmbushur vendimin vullnetarisht, as tani as në të ardhmen.”

Historia e konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil nis në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha një kompanie të quajtur Stream Oil and Gas, licencën për shfrytëzimin e 4 vendburimeve të naftës.

Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë. Stream Oil ishte dhe kjo një kompani e regjistruar në ishujt Kayman, por pas të cilës qëndronte Arian Tartari, një biznesmen afër ish qeverisë së Partisë Demokratike.

Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10 për qind rentën minerare që paguanin kompanitë e naftës. Stream Oil pretendoi kompesim, por qeveria nuk pranoi. Si rezultat kompania nisi të akumulonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arritën deri në 27 milionë dollarë.

Me rrotacionin e pushtetit në vitin 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum. Ky i fundit, pasi e bleu kuptoi që kompania kishte dhe borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj Tatimeve.

Malone e mbajti dy vjet kompaninë TransAtlantic Albania dhe e shiti atë tek kompania GBC Oil e Naim Kasës, Kreshnik Grezës dhe Mark Crawford. Ky i fundit ishte njeriu që negocioi transaksionin e shitjes.

Në viti 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, që tani ishin nën pronësinë e GBC Oil me argumentin se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e marrëveshjes koncesionare si dhe kishte miliona dollarë borxhe të papaguara në shtet.

Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih duke kërkuar 110 milionë dollarë kompesim nga qeveria shqiptare. Në Korrik të vitit 2020, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të GBC Oil, por e gjobiti Shqipërinë me 12.7 milionë dollarë, para të cilat qeveria duhet t’ia paguante GBC Oil si kompesim për të neutralizuar rritjen e taksave pas marrëveshjes koncesionare.

Fillimisht qeveria e raportoi çështjen si të fituar, por lajmi për gjobën u zbulua 4 vjet më parë kur GBC Oil kontraktoi kompaninë australiane Omni Bridgeay për procedurat e ekzekutimit.

Në korrik të vitit 2023, Omni Bridgëay hapi gjyq në gjykatën Federale të Uashingtonit duke kërkuar njohjen e vendimit nga Gjykata Amerikane. Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Uashingtonit i dha të drejtë kompanisë duke njohur vendimin e arbitrazhit për gjobën.

Tashmë, 6 muaj më pas Omni po i kërkon gjykatës autorizimin për të konfiskuar pasuritë sovrane të Shqipërisë, njësoj siç ndodhi me paratë e Albcontrol, të sekuestruara nga biznesmeni italian Francesco Becchetti.

Çështja është Omni Bridgeway Limited kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë etj. Numri i çështjes është 1:23-cv-01938, në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së për Distriktin e Kolumbias./Kapitali