Ballina Kulturë Përkujtojmë viktimat e kampeve të internimit në Valias dhe Kodër-Kamëz

Përkujtojmë viktimat e kampeve të internimit në Valias dhe Kodër-Kamëz

15
0

Në vigjilje të Ditës Evropiane të Kujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi aktivitetin përkujtimor “Valiasi – nga kamp në përkujtim”. Ngjarja solli për publikun histori mbijetese, dëshmi të të internuarve dhe dokumente arkivore të zbuluara së fundmi.

U shfaq dokumentari i Autoritetit “Ana tjetër e Valiasit”, i ndërtuar mbi dëshmitë e të mbijetuarve dhe të pasardhësve të familjeve të internuara. Pamjet dhe rrëfimet treguan realitetin e kampit të punës së detyruar, ku sipas dokumenteve të vitit 1950, ishin të internuar 820 persona, mes tyre 372 fëmijë dhe dhjetëra gra.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, tha se : “Ky kamp, ku mbi gjysma e të internuarve ishin fëmijë, mbetet simbol i ndëshkimit kolektiv dhe traumës së shoqërisë sonë. Plagët e Valiasit, të Kodër-Kamzës, të Tepelenës, Porto Palermos, Savrës, Grabianit, Spaçit e Burrelit, nuk janë plagë individuale. Ato janë plagë të shoqërisë sonë, të trashëguara brez pas brezi. Studiuesit e psikologët na kujtojnë se trauma nuk shërohet duke u mbuluar, por duke u njohur. Prandaj edhe ne, përmes këtij aktiviteti, zgjedhim të kujtojmë, të ndajmë dhe të njohim të vërtetën.

Ndaj ky dokumentar, si burim i rëndësishëm për Platformën Mësojmë nga e kaluara, do të vijojë të informojë dhe të ftojë në reflektim mbi atë që trashëgojmë nga e shkuara dhe mbi mënyrën si e mbajmë të gjallë kujtesën.  jo vetëm për ne që jetojmë sot, por edhe për brezat që vijnë.

Shoqëria jonë ka nevojë jo vetëm të nderojë viktimat, por edhe të mësojë të njohë dhimbjen e tjetrit, që trauma e djeshme të mos bëhet burim percarje sot e nesër.”

z. Ethem Fejzollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste dhe një nga dëshmitarët e mbijetuar, solli kujtimet e tij si fëmijë i internuar në kampin e Valiasit. “ Valiasi ishte një kamp 5 – 6 m i gjatë dhe me tela me gjemba. Kishte roje me armë sipër dhe i gjithë territori i rrethuar. Kampi ishte një sallë e madhe origjinal si në Kamzë. Ndryshimi ishte se në Kamzë sillej një autobot me ujë çdo ditë dhe njerëzit e internuar merrnin ujë të pastër. Në Valias ishte vetëm një pus në mes të kampit pa gurë anash, i cili shembej çdo ditë dhe njerëzit mbushnin kovat me ujë të turbullt. Kush e ruante veten mblidhte shkarpa aty dhe e ziente që ta pinin. Pjesa më e madhe e pinin ashtu dhe i zinte dizenteria dhe i çonin nëpër spitale.”- thotë në dëshminë e tij E‘them Fejzullari.

 

Mr. Wojciech Unolt, i ngarkuari me punë i Amb Polake tha se : Polonia njeh nga afër dhimbjen e kësaj historie. Populli ynë ka kaluar përmes vuajtjeve të dyfishta – nga barbaria e pushtimit nazist deri tek represioni i diktaturës komuniste. Përvoja jonë na mëson se kujtesa është mjeti më i fuqishëm për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë e më të lirë.

Prandaj, ne e mbështesim me forcë përpjekjen e Autoritetit për të sjellë në dritë dëshmitë e mbijetesës dhe për të kthyer kujtimin individual në një kujtesë kolektive. Ky është edhe kuptimi i Ditës Evropiane të Kujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare – një ditë e cila lindi nga iniciativa e vendeve që njohën nga afër plagët e komunizmit dhe të nazizmit, mes tyre edhe Polonia.

z. Gjergj Marku : Sot jemi këtu për të kujtuar kampin e Valiasit dhe dhimbjen që mbartin dëshmitë e atyre që vuajtën në të dhe në kampet e tjera të internimit e punës së detyruar në Shqipëri. Kujtimi ynë sot është një akt nderimi për të gjithë ata që vuajtën. Vetëm nëse dëshmitë dëgjohen dhe respektohen, “plagët mund të shërohen” dhe shoqëria jonë mund të ecë përpara me guxim dhe me kujtesë.

z.Albert Nikolla : “Dëshmitë flasin” – kjo nuk është thjesht një shprehje, por një thirrje për të dëgjuar zërat e burrave, grave e fëmijëve që vuajtën e mbijetuan. Ata nuk na flasin që të mbetemi peng të së kaluarës, por që të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë, duke e pranuar dhe respektuar të vërtetën.

Kampi i Valiasit, si Tepelena, Porto-Palermo apo të gjitha kampet e tjera të internimit, mbetet një dëshmi e gjallë e padrejtësive të regjimit totalitar. Aty, përveç lirisë së mohuar, u shkatërruan jetë, u shuan shpresa dhe u plagosën breza të tërë.

Një mesazh sensibilizues përcolli edhe psikiatri Neli Demi, përmes një videomesazhi mbi traumën e trashëguar dhe nevojën e përpunimit të kujtesës.

“.Nëse nuk kujdesemi për plagët e së kaluarës, ato vazhdojnë të helmojnë të tashmen. Por kur kujtojmë me dinjitet, kur dëgjojmë me respekt, kur japim hapësirë për rrëfim e drejtësi, kujtesa bëhet mjet shërimi. Drejtësia riparuese është rruga që na mëson se historia nuk është vetëm një libër i mbyllur, por një proces i vazhdueshëm. Ajo na kujton se e kaluara mund të mbetet e rëndë, por e tashmja ka fuqinë ta shndërrojë atë në mësim dhe në forcë.”

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë dhe u pasua nga diskutime të familjarëve e të mbijetuarve, duke i kthyer dëshmitë dhe dokumentet në një memorie të përbashkët të shoqërisë shqiptare.

Kujtesë historike mbi kampin e Valiasit

Dokumentet historike tregojnë se kampi i Valiasit u ngrit në vitin 1945, fillimisht për robërit gjermanë të luftës, dhe më pas për familjarët e të arratisurve apo të dënuarve, kryesisht gra dhe fëmijë. Ai u mbyll në vitin 1952, duke transferuar të internuarit në kampe të tjera.

Nga dokumentet arkivore të viteve 1950–1952 (Fondi 4, Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit), numri i të internuarve varionte nga 376 deri në 820 persona, ku pjesa më e madhe ishin gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre jetuan në kushte çnjerëzore, me ushqim minimal, mungesë higjiene dhe shpesh të prekur nga sëmundje si malarja e tuberkulozi.

Në një dokument të CIA-s të 12 majit 1951, kushtet e kampit përshkruhen si “të mjerueshme”: njerëzit jetonin në kasolle kashte, merrnin vetëm 500 gram bukë në ditë dhe nuk kishin ujë të pastër. Në një tjetër dëshmi të kohës, regjimi vetë e përkufizon Valiasin si kamp përqendrimi.