Ballina Kuriozitete Shkencëtarët bëjnë një gabim dhe krijojnë pa dashje një lloj të ri...

Shkencëtarët bëjnë një gabim dhe krijojnë pa dashje një lloj të ri peshku

20
0

Një lloj i ri peshku është shfaqur, por ai nuk ishte menduar kurrë të ekzistonte. Shkencëtarët krijuan “sturddlefish”, një hibrid midis një blini Danubi (acipenser gueldenstaedtii) dhe një peshku lopatë amerikan, plotësisht pa dashje.

Të dy këto lloje, të cilat konsiderohen të rrezikuara, u shumuan në një mënyrë të papritur ndërsa ndodheshin në kushte robërie në një laborator në Hungari.

“Ne kurrë nuk deshëm të merreshim me hibridizimin. Ishte absolutisht e paqëllimshme,” tha Attila Mozsár, studiues i lartë në Institutin e Kërkimeve për Peshkimin dhe Akuakulturën në Hungari, për The New York Times.

Sperma dhe vezët e peshqve përfunduan duke krijuar qindra pasardhës hibridë, megjithëse disa prej tyre kanë vdekur. Sipas studiuesve, “mbijetesa në të gjitha grupet familjare hibride varionte nga 62 deri në 74 për qind, 30 ditë pas çeljes.” Kjo shënon gjithashtu herën e parë që ka ndodhur hibridizim i suksesshëm midis këtyre dy specieve.

Sturddlefish erdhi në ekzistencë kur ekipi i studiuesve po përpiqej të shumonte më shumë blina rusë përmes gjinogjenezës, një lloj riprodhimi aseksual në të cilin sperma është e nevojshme, por nuk lë asnjë gjurmë të ADN-së së saj. Si rezultat, pasardhësi përfundon me 100 për qind ADN amtare (dhe asgjë nga kontribuuesi atëror).

Këtu hyn në lojë peshku lopatë amerikan, pasi ekipi përdori spermën e tij për të nisur gjinogjenezën te blini. Por studiuesit nuk e prisnin që sperma dhe veza të shkriheshin dhe të krijonin një peshk hibrid të ri.

Megjithatë, hibridët nuk janë të gjithë njësoj. Disa janë afër një ndarjeje gjenetike pothuajse 50/50 midis dy prindërve, të tjerë duken më shumë si blina, ndërsa pjesa tjetër shfaq tipare më të forta të peshkut lopatë. Sipas Live Science, të gjithë hibridët janë mishngrënës, ashtu si blini që ushqehet me molusqe dhe krustace. Kjo është ndryshe nga peshku lopatë atëror, i cili ushqehet me lloje të ndryshme zooplanktoni.

The New York Times raporton se rreth 100 sturddlefish-ë janë ende gjallë sot. Shkencëtarët thonë se nuk kanë plane për të krijuar më shumë sturddlefish në të ardhmen, një jetë e shkurtër për një specie që nuk ishte menduar kurrë të ekzistonte./syri