Primi i sigurimit për frymë u rrit për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ky tregues, i shprehur ndryshe edhe si densiteti i sigurimeve në vend, arriti në 10634 lekë (rreth 108 euro), në rritje me 11.6% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e primit të sigurimit për frymë u ngadalësua ndjeshëm nga niveli prej gati 25% i vitit 2023. Megjithatë, rritja e fortë e vitit 2023 i detyrohej kryesisht rishikimit të dhënave demografike, pas Censit të popullsisë, që tregoi një rënie të ndjeshme të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Ulja e numrit të përgjithshëm të popullsisë sidoqoftë duket se ka vazhduar të ndikojë edhe vitin e kaluar, po të kemi parasysh se primet e shkruara bruto u rritën vetëm me 7%, më pak krahasuar me nivelin e primit mesatar për frymë. Megjithëse densiteti i sigurimeve në Shqipëri është në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë, vlerësohet se ai ngelet ende ndër më të ulëtit të Europë.
Tirana është gjithashtu i vetmi qark me një strukturë relativisht të ekuilibruar të primeve, ku sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë rreth 51% të primeve të shkruara bruto. Kjo mund të shpjegohet me përqendrimin e produkteve vullnetare, si ato të biznesit apo të atyre të sigurimit të pronës në kryeqytet.
Në pjesën tjetër të vendit, sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë nga 84% (në Durrës) deri në pothuajse 97% (në Kukës dhe Berat) të primeve të shkruara bruto. Shifrat tregojnë qartë se, jashtë kryeqytetit, tregu i sigurimeve në Shqipëri është pothuajse i gjithi një treg i sigurimeve të detyrueshme të makinave.
Në fund të renditjes, me diferencë të thellë nga qarqet e tjera të vendit, paraqitet Berati, me afërsisht 3384 lekë për frymë. Kjo shumë është sa 32% e mesatares kombëtare dhe më pak se 17% e nivelit maksimal, që shënohet në Tiranë.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vitin e kaluar primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 249 milionë eurosh./ Monitor