Ballina Kulturë Teodor Keko, zëri që mbetet i gjallë në kujtesën e artit

Teodor Keko, zëri që mbetet i gjallë në kujtesën e artit

12
0

Nga Ilir Demalia

Më 22 gusht 2002, u nda nga jeta Teodor Keko, një nga zërat më të veçantë të letërsisë dhe publicistikës shqiptare.

I larguar herët, vetëm 44 vjeç, ai la pas një trashëgimi të dendur në poezi, prozë dhe gazetari, ku ndjeshmëria, ironia dhe guximi qytetar u bënë shenja dalluese të tij.

Keko ishte poet, shkrimtar, publicist dhe deputet. Në letërsi, ai mbeti poeti i metaforës së pazakontë, ku humori i hidhur shpesh përzihej me mallin dhe rebelimin e brendshëm.

Pak muaj para ndarjes nga jeta, pas një operacioni në Selanik, ai shkroi poezinë e tij të fundit, “Kur e di se do të vdesësh”. Një tekst që sot lexohet si një testament shpirtëror, ku vdekja nuk shihet si frikë, por si një zbulesë që e bën jetën më të qartë.

Më të mirë dhe më të çuditshëm janë njerëzit,

që nuk e kuptojnë se hija e trupit të tyre

dhe qielli ta shuan përjetësisht etjen me shirat e tij

dhe avionët nuk fluturojnë për t’u rrëzuar

dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë nesër të liq.

 Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të kundërmojnë më trishtim

dhe njerëzit do kthehen më shpesh te distributori i harruar

të furnizohen falas me besim…

Edhe pse u shua fizikisht, Keko nuk u largua nga kujtesa e lexuesve. Vargjet e tij vijojnë të qarkullojnë, po aq sa editorialet dhe tregimet e tij, të cilat ende flasin me aktualitet. Sot, 23 vite pas ndarjes së tij, ai mbetet një figurë që nuk matet me kohën, por me thellësinë e fjalës dhe guximin e qëndrimit.

Teodor Keko ishte dhe mbetet një zë që nuk u këput, por që vijon të këndojë në kujtesën e kulturës shqiptare.