Ballina Kuriozitete Zbulohet mënyra për të rikthyer shikimin pa ndërhyrje me lazer

Zbulohet mënyra për të rikthyer shikimin pa ndërhyrje me lazer

18
0

Shkencëtarët në Kaliforni kanë zhvilluar një mënyrë të re premtuese për të trajtuar problemet e shikimit pa pasur nevojë për prerje apo lazer. Metoda, e quajtur riformësim elektromekanik (EMR), një ditë mund të bëhet një alternativë ndaj LASIK, ndërhyrjes së njohur, por invazive, me lazer.

LASIK riformëson kornenë përmes lazerit, duke hequr në mënyrë të përhershme indin për të korrigjuar miopinë, hipermetropinë ose astigmatizmin. Megjithëse konsiderohet e sigurt, ajo mbart rreziqe si sy të thatë, ndriçim të tepërt (veçanërisht gjatë natës) ose dobësim afatgjatë të kornesë. Jo të gjitha janë të përshtatshëm, pasi kornetë e holla ose kushte të tjera mund ta përjashtojnë operacionin.

Qasja e re, e krijuar në Occidental College dhe University of California, Irvine, e riformëson kornenë në mënyrë kimike dhe jo duke e prerë. Studiuesit përdorën një rrymë të lehtë elektrike për të ulur përkohësisht nivelin e pH-së së kornesë, gjë që e zbuti strukturën e kolagjenit dhe e bëri indin të formueshëm.

Pasi indi u zbut, mbi korne vendosën një lente platini të projektuar posaçërisht. Indi mori formën e harkut të lentes dhe rikthimi i pH-së “bllokoi” formën e re në vend. Ky proces zgjat rreth një minutë.

Për të testuar metodën, ekipi kreu eksperimente me sy lepujsh të ruajtur në solucion fiziologjik. Të 12 sytë u përshtatën me formën e lentes dhe, në rastet ku u simulua miopia, kornetë u riformësuan për të rikthyer fokusin normal. Në dy prova, korrigjimi eliminoi plotësisht miopinë.

Zbulimi erdhi rastësisht. Brian Wong, kirurg dhe profesor në UC Irvine, shpjegoi: “Po i shihja indet e gjalla si materiale të formueshme dhe zbulova të gjithë këtë proces të modifikimit kimik.” Bashkëpunëtori i tij, Michael Hill, kimist në Occidental College, theksoi se indet e pasura me kolagjen mbështeten te tërheqjet elektrike për të ruajtur formën e tyre. Duke i prishur përkohësisht këto lidhje përmes aciditetit, kornea bëhet fleksibël dhe pastaj forcohet sërish sapo balanca rikthehet.

Kjo risi mund të sjellë ndryshim të madh, veçanërisht në SHBA, ku 167 milionë njerëz mbajnë syze dhe 45 milionë përdorin lente kontakti. Një procedurë jo invazive, më e lirë dhe potencialisht e kthyeshme mund të ofrojë një zgjidhje të aksesueshme për shumë njerëz.

Megjithatë, kërkimi është ende në fazat më të hershme. Deri tani, testet janë kufizuar vetëm te sytë e pajetë të lepujve. Hapi i ardhshëm është studimi i procesit te kafshët e gjalla para se të mendohet për prova tek njerëzit.

Dr. Hill paralajmëroi: “Ka një rrugë të gjatë mes asaj që kemi bërë dhe klinikës. Por, nëse arrijmë deri atje, kjo teknikë është gjerësisht e zbatueshme, shumë më e lirë dhe potencialisht edhe e kthyeshme.”

Ekipi paraqiti zbulimet e tij këtë javë në takimin vjeshtor të Shoqatës Amerikane të Kimisë.