Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur një procedurë të hapur prokurimi me vlerë të lartë monetare për ofrimin e shërbimeve të internetit dhe intranetit për administratën shtetërore dhe institucionet publike.
Fondi limit i vendosur është 486,527,341 lekë pa TVSH (rreth 5 milionë euro pa TVSH), financuar nga buxheti i shtetit.
Qëllimi është instalimi, aktivizimi dhe mirëmbajtja e shërbimit të internetit dhe intranetit për institucionet e administratës shtetërore nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Shërbimi do të sigurojë lidhje të qëndrueshme, në shumicën e rasteve përmes teknologjisë së fibrës optike, duke garantuar vazhdimësi pa ndërprerje të punës, thuhet në dokument.
Operatorët ekonomikë pjesëmarrës do të kenë detyrimin të ofrojnë suport teknik dhe mirëmbajtje të linjave fizike, sipas marrëveshjes SLA; zëvendësim dhe instalim pajisjesh si router/switch dhe ndërtim rrjeti të brendshëm sipas nevojës; monitorim në kohë reale të të gjitha lidhjeve dhe akses për AKSHI-n dhe institucionet në sistemet e monitorimit; mbështetje për institucionet që nuk disponojnë staf IT të dedikuar. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 22 shtator 2025, ora 13:00.
Rreziqet e identifikuara
Kjo procedurë mbart edhe disa rreziqe kryesore, sipas AKSHIT, si mosgarantimin e cilësisë së shërbimit për secilin përdorues për shkak të problemeve me infrastrukturën ekzistuese të institucioneve; si dhe vonesat e mundshme në instalim dhe aktivizim për shkak të numrit të madh të lokacioneve që do të mbulohen./ekofin.al