Ballina Kronika Tiranë/ Dy të arrestuar për të shtënat në Kombinat, policia: 28-vjeçari qëlloi...

Tiranë/ Dy të arrestuar për të shtënat në Kombinat, policia: 28-vjeçari qëlloi ndaj automjetit të personave që u konfliktua! Momenti kur lëviz me kallashnikov

25
0

Dy të rinj janë arrestuar lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri drejt një automjeti. Sipas policisë, në pranga ka rënë Oltjon Asllani (Vodollari), 28-vjeç, i cili qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin lëviznin dy persona pas një konflikti me ta.

Personi tjetër i arrestuar është shoku i tij që drejtonte makinën nga ku u qëllua me armë, 30-vjeçari  Serxho Bajza. Nën hetim janë vënë edhe 4 të tjerë me inicialet R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M. Këta të fundit, sipas policisë, janë konfliktuar fizikisht me dy të arrestuarit, dhe më pas është qëlluar ndaj mjetit të tyre.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Kamerat e sigurisë në zonë e kanë kapur Oltjon Asllanin teksa del në një moment nga automjeti dhe lëviz me kallashnikov në dorë. Sipas policisë, nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
•    O. A(V)., 28 vjeç
•    S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.”, njofton policia.