Bashkëshortja e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, Emine, i ka dërguar një letër Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, duke e ftuar të tregojë të njëjtën ndjeshmëri që ka shfaqur për luftën në Ukrainë edhe për krizën humanitare në Gaza.
Në letrën e saj, Emine Erdogan e përshëndet Melania Trump “me dashuri dhe respekt të sinqertë” dhe kujton me mirënjohje mikpritjen e saj gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, gjashtë vite më parë.
Ajo thekson se biseda e ngrohtë dhe shëtitja e përbashkët në kopsht i lanë përshtypjen e një gruaje me ndjeshmëri të veçantë për çështjet aktuale.
Zonja Erdogan nënvizon gjithashtu se kjo ndjeshmëri pasqyrohet edhe në letrën që Melania Trump i ka dërguar së fundmi presidentit rus, Vladimir Putin, për fëmijët e Ukrainës. “Kujdesi që treguat për jetimët ukrainas është një nismë që frymëzon shpresë në zemrat tona,” shkruan ajo.
Megjithatë, Emine Erdogan thekson se fëmijët e Ukrainës nuk janë të vetmit që vuajnë. Ajo përmend edhe fëmijët palestinezë, të cilët, sipas saj, “meritojnë të njëjtën gëzim, liri dhe një të ardhme të denjë.”
Në këtë kuadër, ajo i kërkon Melania Trump të dërgojë një letër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me një thirrje të fortë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza.
“Është koha kur bota e ka kuptuar problemin dhe njohja e Palestinës është shndërruar në një vullnet global. Besoj se një apel nga ana juaj për Gazën do të ishte një përgjegjësi historike ndaj popullit palestinez,” përfundon letra e zonjës Erdogan.