Ukraina mori sot urime për Ditën e Pavarësisë nga krerët më të lartë të politikës në Kosovë, vend që prej nisjes së pushtimit rus, është pozicionuar publikisht në mbështetje të ukrainasve.
Megjithatë, në terren duket se gjërat janë ndryshe. Siç denoncon politikani Behgjet Pacolli, sot në pikën kufitare me Moldavinë, autoritetet ukrainase, jo vetëm që kanë kthyer mbrapsht disa shtetas kosovarë, por edhe i kanë keqtrajtuar duke i quajtur “terroristë”.
Ukraina nuk e njeh Kosovën, megjithatë, siç edhe shpjegon Pacolli, shumë shtete që nuk e njohin, megjithatë i lejojnë shtetasit e Kosovës të hyjnë në territoret e tyre.
Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur “terroristë”.
Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen.
Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?