Ballina Aktualitet Dhuna në familje, viktimat nuk njoftohen për daljen nga burgu të dhunuesit

Dhuna në familje, viktimat nuk njoftohen për daljen nga burgu të dhunuesit

22
0

Shtatë gjykata në vend u monitoruan për zbatimin e legjislacionit penal, procedural dhe material si dhe të legjislacionit të posaçëm lidhur me veprat penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.

Problemi më kyç i konstatuar është mosnjoftimi i viktimave për lirimin e dhunuesit nga burgu.

“Viktimat takohen rastësisht në rrugë apo në banesën e përbashkët me dhunuesit që e ekspozon përpara një dhune potenciale që mund t’i kanos jetën dhe shëndetin në çdo moment”, u shpreh avokatja Lirie Dina.

Tjetër problem mbetet mosnjohja e viktimës me të drejtat procedurale, ndërsa shumë pak prej tyre kërkojnë ndihmë juridike falas.

“Sugjerohet që të kemi një unifikim të praktikës së gjykatave të njoftimit të letrave të të drejtave të viktimës. Mungesa e informimit sjell dhe e vendos viktimën në një pozitë procedurale të dobët, duke i pamundësuara saj pjesëmarrjen aktive në procese dhe gjithë përfshirjen. Një numër shumë i ulët i viktimave të dhunës në familje apo me bazë gjinore kanë aplikuar për të përfituar ndihmë juridike dytësore falas, viktimat janë të pambrojtura dhe të pa përfaqësuara në proceset gjyqësore”, tha Dina.

Ndryshimi i qëndrimit të viktimave përballë dhunuesve mbetet fenomen i përhapur.

“34% e viktimave ndryshojnë qëndrimin e tyre nga qëndrimi fillestar kur kanë bërë kallëzimin”, tha ajo.

Shërbimet mbështetëse vijojnë të mbeten sfidë ndërsa në aktet e dhunës është vërejtur edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje nga dhunuesit.

“Është e rëndësishme edhe zgjerimi i gamës së shërbimit, ku përfshihet rehabilitimi, riintegrimi, shërbimet mbështetëse jo vetëm për viktimat e dhunës por përfitues të jenë edhe vetë autorët dhe dhunuesit. Kemi përsëritje të dhunës në familje”, tha avokatja.

Ky monitorim u realizua nga Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare lidhur me zbatimin e të drejtave të viktimës në proces penal në bashkëpunim me UN Women.