Për të pestin vit radhazi kompania shqiptare e fluturimeve, Air Albania, rezulton me humbje. Ndonëse vet kompania refuzon të dorëzojë bilancet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, aksioneri i saj shoqëria Turkish Airline konfirmon rrënimin e Air Albania
Ndërkohë një denoncim i fortë ka mbërritur në rrjetet sociale të redaksisë së Syri Tv. Një punonjës/se e Air Albania e cila ka kërkuar të ruhet anonimati bën me dije se shpallja e falimentit nga Air Albania është çështje ditësh për të mos thënë orësh.
Shoqëria “Air Albania”, e cila i ka vendosur në dispozicion një avion-taksi kryeministrit Edi Rama, dhe që rezulton se për të pestin vit rresht ka dalë me humbje momentalisht ka vetëm 2 avionë në flotën e saj, shkruhet në denoncim.
Madje shkruhet dhe për një proces gjyqësor me kompaninë ukrainase SkyUp të cilës Air Albania i ka marrë me qira një avion dhe nuk u paguan detyrimet.
ZA-MMK- i cili ndodhet në Stamboll që prej muajit shkurt te vitit 2024 dhe është inoperativ pasi ka probleme në motorin.
ZA-ASM-i cili operonte për Air Albania deri më datë 6 gusht dhe momentalisht ndodhet në Stamboll pasi kompania “Etihad” që i ka dhënë avionët me qira Air Albanias i ka vendosur avionët në sekuestro për shkak të detyrime të mëdha te pagesave që Air Albania nuk ka paguar.
E njëjta gjë ndodhi edhe para 6 muajve me saktë me 19 shkurt, kur u bë publicitet i madh nëpër media që Air Albania shtoi flotën ajrore me 2 avionë dhe hapi destinacione te reja.
Por 1 muaj pas hapjes së destinacioneve të reja, avioni që kishin marrë me qira nga kompania ukrainase SkyUp, u largua pasi Air Albania nuk i pagoi paratë edhe tani ndodhen në proces gjyqësor” shkruhet në denoncimin e mbërritur në Syri Tv.
Denoncimi shton se u është komunikuar punonjësve të marrin lejen vjetore të detyruar ndërsa pilotëve u është kërkuar të largohen nga Shqipëria.
“Momentalisht, sapo na u komunikua të gjithë punonjësve të marim leje vjetore të detyruara. Pilotëve sapo u komunikuan që të largohen nga Shqipëria”
Nuk mjafton me kaq. Detyrime të pashlyera kompania ka dhe ndaj punonjësve.
“Që të gjithë punonjësit kanë nga 2-3 rroga të papaguara dhe 1 vit siguracione të papaguar” bën të ditur burimi duke shtuar se ‘shpallja e falimentit është shumë e afërt ‘çështjes ditësh për të mos thënë çështje orësh”
Denoncimi sqaron se i vetmi avion që është operativ është ai i linjës së Stambollit, ndërsa janë anuluar të gjitha fluturimet e asnjë informacion nuk u është komunikuar pasagjerëve apo të flitet për rimbursim biletash
“Avoni që u mor nga kompania bullgare Fly2sky është operativ për momentin dhe po operon vetëm fluturimin e Stambollit. Dhe pritet nga momenti në moment që edhe ai te largohët për shkak të detyrimeve te papaguara. Ndërkohë të gjitha fluturimet e tjera tani në sezon vere ku njerëzit udhëtojnë për pushime apo për te takuar familjare, janë anulluar të gjitha, dhe asnje informacion ndaj pasagjereve, asnjë rimbursim biletash, asnjë gjë’
Situata e vështirë ekonomike zbulohet në të dhënat e Kontabilitetit të aksionerit të saj kryesor, Turkish Airlines. Shoqëria turke, e cila zotëron 49 përqind të aksioneve të “Air Albania”, deklaron se nuk e ka përfshirë shoqërinë shqiptare në bilancet e saj për vitin 2024, pasi “humbja tejkalon të gjithë totalin e aksionit të grupit”.
Kompania “Air Albania” është krijuar në vitin 2018. Struktura e aksionerëve të saj është ndarë në 49 përqind të “Turk Hava Yollari” ose Turkish Airlines, 41 përqind në pronësi të “MDN Investiment” të familjes së biznesmenit vlonjat, Sinan Idrizi dhe 10 përqind i zotëron shoqëria publike “Albcontrol”.
Në vitin 2020, “Air Albania” nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me qëllim vëniën në dispozicion të kryeministrit Rama një avion çarter për udhëtimet e tij rajonale e ndërkombëtare. Këshilli i Ministrave dhe “Air Albania” nuk kanë publikuar asnjëherë efektet financiare të kësaj Marrëveshjeje. Opozita e akuzon kreun e qeverisë se prej vitesh po shpenzon miliona euro për udhëtimet e tij me avionin-taksi./ Syri