Psikologia e njohur, Jorida Rustemi, ka ndarë sot lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, Vasileios Stachos, i cili humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë.
Përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, Rustemi shprehet se bashkëshorti i saj, i njohur ndryshe si Vasili, ka luftuar me forcë dhe dinjitet për më shumë se katër vite, duke mos humbur kurrë shpresën deri në momentet e fundit të jetës.
“Me zemër të thyer ndaj me ju dhimbjen e thellë për largimin e parakohshëm të bashkëshortit tim, babait të dy fëmijëve tanë, që ende të vegjël besojnë se do të rriten me të dy prindërit pranë,” shkruan psikologia.
Rustemi e përshkruan bashkëshortin e saj si një njeri me forcë karakteri, shpirt sipërmarrës dhe të dashur për jetën, duke shtuar se miqtë dhe kolegët e tij në mbarë botën do ta kujtojnë gjithmonë për vizionin dhe pasionin që tregonte në çdo hap.
Ceremonia mortore do të mbahet të martën, më 26 gusht, në vendlindjen e tij në Glifadha, Athinë, ku miqtë, kolegët dhe të afërmit do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit.