Ballina Kosovë Kosovë/ KQZ nuk certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet lokale, urdhërohet miratimi i...

Kosovë/ KQZ nuk certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet lokale, urdhërohet miratimi i kandidaturës për partinë minoritare

22
0

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kanë raportuar mediat në Kosovë më 24 gusht.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beorgadit, e dorëzoi ankesën në PZAP paraditen e 22 gushtit.

“Anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet KQZ-ja që ta cerifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, sipas rekomandimit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në një dokument të publikuar nga Rtklive.

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor i Kosovës i 21 gushtit u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e KQZ-së?

Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të partive në KQZ rekomandoi certifikimin e Listës Serbe gjatë mbledhjes së 21 gushtit.

Megjithatë, anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan gjatë votimit për certifikimin e Listës Serbe.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Këto pretendime u kundërshtuan nga Lista Serbe dhe nga Beogradi zyrtar.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

LVV-ja luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe komisioni zgjedhor nuk e kishte certifikuar atë fillimisht edhe asokohe.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./ REL