Këngëtarja britanike Raye është detyruar të ndërpresë për pak minuta performancën e saj në festivalin All Points East, pasi një fans humbi ndjenjat në mesin e turmës.
Incidenti ndodhi gjatë koncertit në parkun Victoria Park të Londrës, ku mijëra adhurues po ndiqnin nga afër performancën e artistes. Sapo vuri re situatën, Raye ndaloi këndimin dhe kërkoi nga stafi i sigurisë dhe ekipi mjekësor të ndërhynin menjëherë.
Pas ndërhyrjes së shpejtë, fansi u trajtua nga mjekët dhe gjendja e tij u stabilizua. Koncerti më pas vazhdoi, ndërsa publiku e mirëpriti gjestin e këngëtares, duke e duartrokitur për kujdesin e treguar.
Raye, e cila aktualisht është një nga artistet më të suksesshme britanike, ka fituar vëmendjen e madhe ndërkombëtare pas triumfit të saj me disa çmime prestigjioze muzikore në vitin 2024.