Ballina Aktualitet Terrorizëm kulturor/ Barbarët betonizojnë shpellën mitike të Odisesë në Himarë për lavazh

Terrorizëm kulturor/ Barbarët betonizojnë shpellën mitike të Odisesë në Himarë për lavazh

19
0

Një nga thesaret më të ccmuara arkeologjike dhe historike të bregdetit jugor të Shqipërisë po zhduket barbarisht.

Për këtë barbari të turpshme ka reaguar dhe historiani Auron Tare. Duke publikuar pamjet e postuara nga një qytetar i Himarës thotë se ky është një monumet më rëndësi të jashtëzakonshme për trashëgiminë e zonës, por edhe turizmin kulturor. Por sipas tij pamjet e betonizimit flasin vetë.

Shpella e Spilës në Himarë, e njohur ndryshe si “Shpella e Odiseut” dhe e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, po përballet me një akt të rëndë shkatërrimi dhe betonizimi, në shërbim të një biznesi privat.

Terrorizëm kulturor/ Barbarët betonizojnë shpellën mitike

Në hyrjen e saj, një prej rrugëve natyrore është bllokuar nga ndërtime, ndërsa brenda saj janë hedhur mbetje inerte dhe tubacione për ujëra të zeza, duke e bërë të pamundur vizitën.

Pretendimet për pronësinë mbi këtë vend të lashtë janë ngritur nga individë të disa familjeve vendase, të cilët kanë nisur ndërtime pa leje, duke transformuar shpellën në një vend parkimi dhe një hapësirë potencialisht komerciale.

Njëra nga hyrjet është mbuluar me materiale ndërtimi, ndërsa hyrja tjetër përdoret si lavazh dhe parking, me plane për të shfrytëzuar zgafellat e brendshme antike.

Terrorizëm kulturor/ Barbarët betonizojnë shpellën mitike

Qytetarët e Himarës kanë reaguar me shqetësim dhe kanë tentuar të ndalojnë kamionët që po shkarkonin rërë dhe inerte në zonë, por ankesat e tyre drejtuar Bashkisë dhe institucioneve shtetërore kanë mbetur pa përgjigje. Madje, tabela që shënon statusin e shpellës si monument kulture është mbuluar nga shkurret.

“Shpella e Odiseut” është një vend me rëndësi të jashtëzakonshme historike, e cituar në studimet mbi epokën homerike dhe e përmendur si dëshmi e hershme e jetës në këtë rajon.

Aty ndodhen artefakte të rralla dhe gjurmë të pakthyeshme të historisë së njerëzimit në këtë pjesë të Ballkanit. Vizita e aktorit të madh Bekim Fehmiu, i cili e ka përjetësuar figurën e Odiseut në kinematografi, e ktheu këtë shpellë në një simbol kulturor të lidhjes shqiptare me mitologjinë dhe trashëgiminë antike./ kapitali