Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës–Tiranë, ku dy persona që kishin vjedhur një automjet dhe më pas kishin grabitur me dhunë një karburant në Sukth.
Sipas njoftimit zyrtar, autorët u identifikuan nga shërbimet e Policisë së Durrësit, të cilat u vunë në ndjekje të automjetit të vjedhur. Gjatë tentativës për t’u larguar me shpejtësi, dy personat hapën zjarr ndaj uniformave blu.
Policia u kundërpërgjigj me zjarr në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, dhe si pasojë u plagos njëri prej autorëve, Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori tjetër, Lorenc Çali, 27 vjeç, banues në Bilalas, pas rezistencës së armatosur ndaj efektivëve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.
Në vendngjarje u sekuestrua një armë zjarri automatike kallashnikov me dy krehra fishekësh, e përdorur nga të dy personat gjatë ndjekjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, në afërsi të rrethrrotullimit të mbikalimit në Vorë, ku automjeti i autorëve doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë. Përveç Policisë së Durrësit, në operacion u angazhuan edhe shërbime mbështetëse nga DVP Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe veprimtarisë kriminale të autorëve.