Ballina Ekonomia Borxhi i qeverisë dhe bashkive arrin 103 mln euro, ja ministritë dhe...

Borxhi i qeverisë dhe bashkive arrin 103 mln euro, ja ministritë dhe qytetet më të shtrenjta

33
0

Borxhet e ministrive dhe bashkive janë rritur këtë vit. Deri në muajin  qershor të gjitha detyrimet që kishte qeveria dhe njësitë vendore, arritën vlerën e 103 mln eurove dhe në raport me muajin mars, mbi to rëndon edhe një borxh i shtuar prej 5.5 mln eurosh.

Problemet me menaxhimin e parave, kryesisht në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore apo ato në fushën e investimeve janë bërë shkas për krijimin e borxheve të reja.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se nga institucionet bartëse të detyrimeve pjesa më e madhe i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me afro 19 mln euro, ndjekur nga ministria e shëndetësisë dhe institucionet e tjera qendrore.

Por, zinxhiri i problemeve është reflektuar edhe tek financat e bashkive në vend. Sipas tabelës deri në muajin qershor, borxhet e bashkive, arritën në 37 mln euro, me Tiranën, Kavajën, Dimalin dhe Rrogozhinën që kryesojnë listën e debitorëve.

Me përjashtim të Tiranës dhe Kavajës, që kanë pasur përherë probleme me likuidimin e faturave, bashkitë e tjera janë ngjitur rishtaz këtë vit.

Ministria e Financave është angazhuar për shlyerjen në kohë të këtyre borxheve, ndërkohë, institucione të tjera si Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Shoqatat e Bashkive konstatojnë se borxhi i akumuluar është më i lartë.