Ballina Bota Saga Soros 4/ Si ra miliarderi në kurthin e shërbimit sekret kinez

Saga Soros 4/ Si ra miliarderi në kurthin e shërbimit sekret kinez

0
37

Nga Paul Sygy

Cili është momenti kur një njeri ndihet mjaftueshëm i pasur sa për të filluar ta japë për bamirësi një një pjesë të pasurisë së tij?

George Soros e kaloi këtë prag në fillim të viteve 1980, kur pasuria e tij personale arriti në 25 milionë dollarë. Ai u hodh me kokë në aventurën filantropike, duke krijuar më 1979 Open Society Institute, që më vonë do të bëhej Open Society Foundations. Për rreth katër dekada, Open Society ka shpenzuar më shumë se 32 miliardë dollarë, duke u renditur kështu si një nga fondacionet më të rëndësishme në botë, menjëherë pas atij të Bill Gates dhe, në planin historik, atij të farmacistit Henry Wellcome.

Por bamirësi nuk bëhet me të njëjtën lehtësi me të cilën spekulohet në bursat financiare. Në kundërshtim me ‘success-story’-n legjendar që do të tregonte më vonë George Soros për veten, përvojat e para filantropike ishin dështime të hidhura. Ai e mësoi me vonesë se, duke shpenzuar shuma marramendëse, mund të mos kesh aspak efektin e dëshiruar. Kjo ndodhi në Afrikën e Jugut, ku George Soros u angazhua për herë të parë si filantrop.

Pasi kishte shpërndarë disa bursa për disidentët e vendeve të bllokut sovjetik, ku çdo opozitë ishte e ndaluar, Soros u përqendrua te Afrikën e Jugut dhe te rektori i Universitetit të Cape Toën. Institucioni ishte një nga të paktët xhepa të rezistencës ndaj politikave raciste të Apartejdit, por kjo rezistencë nuk i kapërcente kufijtë simbolikë. Soros ofroi bursa për të ndihmuar studentët e zinj të Afrikës së Jugut të kryenin studimet, i bindur se formimi intelektual i një elite të re do ta shpejtonte fundin e aparteidit. Krenar që hynte për herë të parë në një aventurë politike dhe i bindur se do ta transformonte lehtësisht situatën e vendit, ai i dorëzoi Universitetit 80 bursa. Ishte një lloj ‘çeku të bardhë’ për rektorin, i cili, pavarësisht idealeve të tij për ndryshim dhe tolerancë, nuk kishte mjete të mjaftueshme për të rekrutuar në masë studentë të zinj. Në fakt, shuma e madhe e përfituar nga universiteti nuk shërbeu veçse për disa studentë të bardhë të varfër. Sipas biografes së tij, Anne-Marie Rocco, George Soros e pezulloi menjëherë kreditimin dhe më vonë shpjegoi se, nëse ai shpenzoi kaq shumë në Afrikën e Jugut, ishte sepse nuk e kuptoi ‘kompleksitetin e sistemit’.

Soros e kuptoi vonë, por vendosi se në të ardhmen nuk do t’ia besonte më dhënien e fondeve institucioneve të mëdha universitare, por se do të mbështetej te punonjësit e fondacionit të tij në terren, për të ndjekur më afër përfituesit e bursave. Për këtë, duhej të mbështetej në rrjete njerëzish të besueshëm, që dinin të gjykonin cilët ishin studentët më të përshtatshëm, sidomos në vendet ku regjimet diktatoriale përdornin mashtrime për të përfituar nga ndihmat ndërkombëtare. Që atëherë, përfituesit e bursave filluan të rekrutoheshin me një vigjilencë të shtuar.

Në këtë frymë Soros takoi Liang Heng. Ky student i Columbia-s sapo kishte botuar një autobiografi me titull Son of the Revolution (‘Djalli i revolucionit’, 1983), ku tregonte për ekseset e revolucionit kulturor maoist që familja e tij i kishte pësuar në kurriz: babai i tij ishte poshtëruar publikisht si ‘intelektual kundër-revolucionar’, ndërsa vetë Liang Heng si ‘bir i intelektualit kundër-revolucionar’, u dërgua për riedukim në fshat, dhe u rekrutua në organizatat rinore të Gardistëve të Kuq. Ashtu si shumë lexues amerikanë, George Soros u trondit nga ky rrëfim: tmerri që i ngjallnin regjimet totalitare të kohës së nazizmit dhe stalinizmit, papritmas i dukeshin të  përsëritura në mënyrë identikike në atë revolucion kulturor të shpalosur nga i riu kinez.

Historia është tashmë e njohur, por ajo u rrëfye me talent nga gazetari australian Alex Joske, i cili publikoi më 2022 një libër të shquar mbi mënyrën si Kina infiltron në pjesën tjetër të botës. Liang Heng u rekrutua nga Open Society për të ndihmuar studentët kinezë dhe për të identifikuar, sipas eksperiencës së tij, ata që mund të bëheshin liderë të ndryshimit, dhe mbi të cilët fondacioni duhej të mbështetej për të përshpejtuar ndryshimet.

Historia zhvillohet në vitin 1984, pesë vjet pas njohjes së regjimit komunist kinez nga Shtetet e Bashkuara, kur nën efektin e një lëvizjeje reformash të nisura nga Ten Siaopini, Kina synoi një hapje përfundimtare ekonomike kineze me botën, duke nxitur tregtinë e jashtme dhe duke firmosur kontrata me Boeing dhe Coca-Cola. Liang Heng u bë shpejt ndërmjetësi mes George Soros dhe qarqeve ekonomike e akademike kineze më të favorshme ndaj reformave. Ai u afrua me drejtues të Partisë që mbronin hapjen dhe liberalizimin, dhe George Soros nisi të krijonte rrjetin e tij, në interes të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës.

George Soros shfrytëzoi mundësinë që iu dha për të krijuar Chinese Fund, me mbështetjen e autoriteteve kineze. Ky fond kishte objektivin për të përhapur idetë e tij për një shoqëri të hapur dhe për të mbështetur reforma që e orientojnë Kinën drejt së ardhmes. Ai nuk investoi vetëm në projekte universitare apo në kërkime shkencore, por edhe në përgatitjen e kuadrove që do të drejtonin vendin në të ardhmen. Me ndihmën e Soros-it, Instituti i Reformës së Sistemit Ekonomik u themelua brenda Partisë, një lloj laboratori idesh që do i shërbente politikave të hapjes. Ky institut u bë në fakt ‘Open Society’ e parë për Kinën, dhe Soros u ftua në inaugurimin e tij në vitin 1986. Në atë kohë, në një Kinë të etur për reforma, rezultatet e para të dukshme nuk munguan: marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe botën u gjallëruan, ekonomia bëri përpara, dhe për një moment u duk se regjimi komunist do të përfundonte duke u transformuar në një shoqëri tërësisht të hapur.

Chinese Fund mund të mbështetej edhe mbi një faktor politik vendimtar: ardhjen në pushtet të Zhao Ziyang-ut, si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze, i cili i la Soros-it një liri të madhe iniciative. Fondi zhvilloi seminare të shumta në klubin e elitës Pekin, në universitetin e Shkencave Sociale, dhe në shumë qendra të tjera kërkimore ekonomike. Chinese Fund financoi gjithashtu punimet mbi Revolucionin Kulturor, apo edhe të gazetarit Dai Qing, që kundërshtonte ndërtimin e digës gjigande të Tri Luginave, një ëndërr e vjetër e Republikës Popullore, ndërtimi i së cilës do të kërkonte zhvendosjen e 2 milionë njerëzve.

Por Soros deshi të bënte shumë, përnjëherë dhe ndoshta tepër shpejt. Linja reformiste e Partisë humbi terren përkundër ndikimit të Zhao Ziyang-ut, dhe kjo ndërhyrje amerikane u përdor si mjet propagandistik. Udhëheqja kineze vendosi t’ia dorëzonte drejtimin e Chinese Fund Yu Enguang-ut, një funksionari të lartë të Ministrisë së Kulturës, por që ishte nën kontrollin e shërbimeve sekrete. Soros ishte i bindur se po bashkëpunonte me një intelektual të hapur. Në të vërtetë, Yu Enguang e futi Chinese Fund nën ndikimin e Shërbimit të Sigurisë së Shtetit, duke e shndërruar atë në një mjet ndikimi të Partisë mbi botën e jashtme.

Fondi përdorej për të përzgjedhur të rinj të talentuar, të cilët dërgoheshin më pas në Shtetet e Bashkuara me bursa, por gjithnjë me një përgatitje ideologjike shumë të kujdesshme. Studentëve u bëhej një lloj indoktrinimi politik, me kurse ku mësonin për doktrinën zyrtare të Partisë, duke i recituar në kor.

Pikërisht nga ky moment, regjimi kinez do të përdorte Chinese Fund si një platformë ekskluzive për të forcuar marrëdhëniet me botën e jashtme, duke anashkaluar sanksionet dhe duke kontrolluar çdo shkëmbim kulturor.

Por në vitin 1989 gjithçka ndryshoi: studentët që përfitonin bursat dolën në sheshe për të protestuar kundër regjimit, dhe kjo përfundoi me masakrën e sheshit Tiananmen. George Soros e kuptoi menjëherë se ishte manipuluar. Ai shpalli menjëherë mbylljen e fondit dhe u largua përfundimisht nga Kina. Liang Heng, i cili atëherë ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, do ta qortonte rëndë: ‘Ti doje të na blije me paratë e tua, por ishin kinezët ata që të blenë ty me paratë e tua,’ i tha ai.

Ky ishte fundi i aventurës kineze të George Soros-it.

Më pas, Open Society do të përqendrohej në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, ku ndikimi i saj do të ishte i dukshëm në vitet ’90. Ndërkohë, Chinese Fund kaloi nën drejtimin e një ish-funksionari të Partisë, Yu Enguang, dhe më pas përfundoi i lidhur me aparatin zyrtar të sigurisë kineze.

Në vitin 2017, një fond tjetër i ngjashëm, i quajtur You Fung, u krijua si pasardhës i Chinese Fund, dhe ai mbeti nën kontrollin e Partisë Komuniste, me seli në Ministrinë e Sigurisë së Shtetit.

Publikimi i Paradise Papers në vitin 2017 zbuloi se Yu Enguang, bashkëkryetar i Chinese Fund dhe i vendosur në atë detyrë nga Partia Komuniste, kishte adresën e tij personale në selinë e Ministrisë së Sigurisë së Shtetit, pra, në shërbimet sekrete kineze! Kështu, sipas studiuesit Alex Joske:

‘Yu Enguang arriti ta bindte Soros-in që, pa e kuptuar, të vendoste fondin nën kontrollin e shërbimeve sekrete kineze, duke hedhur bazat e një prej operacioneve të para të ndikimit kinez mbi botën perëndimore.’

Ja kështu, George Soros përfundoi pa e ditur duke i shërbyer regjimit komunist që ai vetë kishte synuar të luftonte. Ndoshta ai e mbajti mend mësimin, sepse shumë më vonë, në vitin 2020, ai e sulmoi publikisht Donald Trump-in, duke denoncuar çdo politikë të pajtimit me ekonominë kineze si kompromis të rrezikshëm dhe duke kritikuar hapur koncesionet e dhëna për kompaninë Huawei.

Megjithatë, Soros dukej se kishte harruar disi shpejt se edhe ai vetë, dikur, kishte bërë gabime shumë më të mëdha vlerësimi, me pasoja të rënda./lapsi.al