Ballina Ekonomia 72% e të moshuarve në Shqipëri deklarojnë se marrin pension 10 mijë...

72% e të moshuarve në Shqipëri deklarojnë se marrin pension 10 mijë deri në 30 mijë lekë

17
0

Një raport i fundit i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka nxjerrë në pah gjendjen e vështirë financiare të të moshuarve në Shqipëri, ku pensionet mbeten burimi kryesor i të ardhurave, por shpesh nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë dhe sidomos kostot e larta shëndetësore.

Pensionet dhe burimet e tjera të të ardhurave

Sipas raportit, 95% e të moshuarve mbështeten kryesisht te pensionet. Megjithatë, kur rritet varësia nga kujdesi, burime të tjera financiare bëhen të domosdoshme. Mbështetja familjare, për shembull, rritet nga 41% tek grupi i pavarur në 50–51% tek grupet më të varura. Gjithashtu, kursimet personale, ndihma shtetërore dhe burime të tjera shtesë financimi shfaqen më shpesh, duke reflektuar nevojën e lartë për mjete shtesë për përballimin e kujdesit.

Të ardhura të ulëta dhe rreziku i varfërisë

Shumica e të moshuarve kanë të ardhura mujore shumë të kufizuara. 72% deklarojnë se marrin mes 10,000 dhe 30,000 lekë, ndërsa 13% jetojnë me më pak se 10,000 lekë në muaj. Gratë janë më të përfaqësuara në grupet nën 30,000 lekë, duke paur një rrezik më të madh për to në marrjen e kujdesit.

Kur bëhet fjalë për shpenzimet, shifrat janë alarmante: mesatarisht 55% e të ardhurave mujore të të moshuarve përdoren për nevoja bazë dhe 45% për shërbime shëndetësore. Ky raport ndryshon sipas nivelit të varësisë: tek të moshuarit e pavarur, 60% shkon për nevoja bazë dhe 40% për shëndetësi, ndërsa tek të moshuarit shumë të varur raporti përmbyset: 40% për nevoja bazë dhe 60% për shëndetësi.

Duke marrë parasysh se pragu i rrezikut për varfëri për një ekonomi një-anëtarëshe në Shqipëri në vitin 2023 ishte 22,547 lekë, dhe duke shtuar përqindjen e lartë të shpenzimeve nga xhepi për shëndetin, bëhet e qartë se të moshuarit janë në një rrezik real të varfërisë.

Mbështetje shtetërore e pamjaftueshme

Raporti vëren se ndihma ekonomike dhe pagesat për aftësi të kufizuara janë jetike për të moshuarit më të varur, por procedurat burokratike shpesh janë penguese. Vetëm 6% e të anketuarve marrin pagesa invaliditeti,  duke nisur nga 2% tek grupi i pavarur deri në 18% tek grupi shumë i varur.

Për më tepër, 41% e të moshuarve nuk kanë informacion mbi programet e mbrojtjes sociale, ndërsa 19% e të moshuarve shumë të varur kishin aplikuar por nuk përfitonin aktualisht. Ndërsa Tirana shënoi një nivel më të lartë informimi krahasuar me zonat e tjera, të moshuarit jashtë kryeqytetit mbeten më të ekspozuar ndaj mungesës së informacionit dhe procedurave të ndërlikuara.

Rëndësia e mbështetjes familjare

Në këto rrethana, mbështetja e familjes bëhet jetike. Më shumë se 2 nga 3 të moshuar të varur marrin ndihmë financiare të rregullt ose të rastësishme nga familjarët për ushqime, ilaçe dhe nevoja të tjera. Por, 24% e të moshuarve në të gjitha grupet deklaruan se nuk marrin asnjë ndihmë nga familjet, një shifër që shkon në 20% për të moshuarit shumë të varur, duke e bërë edhe më të rrezikshme situatën e tyre financiare.

Interesante është fakti se të moshuarit në zonat urbane raportuan më shpesh mungesë ndihme nga familjet (29%) krahasuar me ata në zonat rurale (19%), çka sugjeron një nevojë më të madhe për mbështetje sociale në qytete./ekofin.al