Ministria e Financave ka çelur këstin e pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish-të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti.
Kjo procedurë bëhet në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist ”, të ndryshuar si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
Për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, që bëjnë pjesë në kategorinë joparësore, dokumentet që duhet të dërgojnë janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar e noterizuar, certifikatë vdekjeje origjinale për ish- të dënuarin politik dhe për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar origjinal si dhe numrat e llogarisë.
Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare.
Për shpërndarjen e kësteve të tjera, pagesa e këstit vijues, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit të dërguar më parë, kur nuk ka kontestim, nga rrethi i familjarëve ose të trashëgimtarëve, ndryshime të statusit të ish- të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve që jetojnë, revokim të prokurës së posaçme.
Në vijim të çeljes së fondit për këstin e pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, Ministria e Financave ka publikuar edhe listën e parë të dosjeve në radhë për përfitimin e këstit të pestë.
Në mbështetje të dokumentacionit të depozituar pranë Ministrisë përgjegjëse për financat, Drejtoria përgjegjëse për pagesat, në zbatim ligjit në fuqi për dëmshpërblimet e ish të dënuarve politikë, të Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave, realizon shpërndarjen e pagesave të këstit të radhës, duke bërë kontrollin e dokumentacionit të depozituar për çdo dosje individuale të ish të dënuarve politikë, pranë kësaj drejtorie dhe duke ndjekur radhën e pagesave të paguara ndër vite.