Ballina Bota Policia japoneze kërkon falje te varri i një burri të akuzuar padrejtësisht

Policia japoneze kërkon falje te varri i një burri të akuzuar padrejtësisht

19
0

Autoritetet japoneze u përkulën dhe ofruan lule te varri i një biznesmeni në shenjë faljeje për akuzën e padrejtë që e kishin akuzuar atë për eksportimin e makinerive industriale potencialisht të ndjeshme.

Shizuo Aishima dhe tre drejtues të tjerë u arrestuan për eksporte të paligjshme në mars të vitit 2020. Ai vdiq nga kanceri në stomak në shkurt të vitit 2021, pesë muaj para se të rrëzoheshin aktakuzat, shkruan BBC-i.

Familja e tij ishte te varri i tij në Yokohama të hënën për të pranuar kërkimfaljen. Megjithatë, gruaja e tij tha se nuk mund t’i falte ata që fshiheshin pas akuzës.

Kompania e Aishimas ngriti padi për dëmshpërblim në një gjykatë të Tokios në shtator 2021, e cila vendosi që aktakuzat ishin të paligjshme dhe urdhëroi kompensim prej 166 milionë jenësh (1.12 milionë dollarë).

“Kërkojmë ndjesë sinqerisht për shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut të shkaktuar nga kërkesa e paligjshme për paraburgimin e tij dhe ngritja e një padie penale, si dhe për privimin e Aishimas nga mundësitë për trajtim mjekësor duke refuzuar në mënyrë të papërshtatshme kërkesën e tij për lirim me kusht”, tha prokurori Hiroshi Ichikawa.

Aishima paraqiti tetë kërkesa për lirim me kusht, të cilat u refuzuan të gjitha.

Departamenti i Policisë Metropolitane të Tokios dhe Zyra e Prokurorit Publik të Distriktit të Tokios nuk e apeluan vendimin e gjykatës që i urdhëroi ata të paguanin kompensim. Vendimi mori formë të prerë më 11 qershor të vitit të kaluar.