Ballina Rajoni Vuçiç zhvillon bisedë telefonike me Lavrov: Biseduam për Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe...

Vuçiç zhvillon bisedë telefonike me Lavrov: Biseduam për Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Dodikun

57
0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se më 26 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon.

Vuçiç tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë dhe, siç shkroi ai, për “përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.

Temë bisede, sipas Vuçiçit, ishte edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.

“Diskutuam mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë, krizën e shkaktuar nga jashtë, me sulme të vazhdueshme ndaj (entitetit) Republika Sërpska”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Ai, më herët, pas vendimit në Bosnje e Hercegovinë për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i atij entiteti, kishte deklaruar se Beogradi “gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit tonë dhe Republikës Sërpska”.

Dodikut iu hoq mandati pasi u dënua me një vit burgim dhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Ky lider prorus, që drejton partinë kryesore të serbëve në Bosnje, gëzon mbështetjen e Moskës.

Vuçiç ka thënë se, gjatë një “bisede të gjatë dhe miqësore” me Lavrovin, u ra dakord që të vazhdohet me zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe të thellohet komunikimi në forume, organizata dhe institucione ndërkombëtare.