Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, por edbe brenda partisë, Lëvizjes Vetëvendosje. Përveç kësaj, në vëmendje ka dalë një tekst i vitit 2012, ku Basha kishte përfshirë UÇK-në me botën e krimit, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e tij ndaj një prej simboleve më të rëndësishme të historisë së vendit, shkruan Periskopi.
Basha në këtë “hulumtim” ku figuron se është bashkautor me Jana Arsovska, kishte shkruar se UÇK-ja ishte financuar nga trafikuesit e drogës që në emër të saj kishin blerë armë.
Dimal Basha emër i panjohur në skenën e politikës në vitin 2012 po punonte për ngritjen e tij akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për ngritjen e tij akademike, Basha kishte realizuar edhe një hulumtim në bashkëpunim me Jana Arsovskan, profesoreshë në John Jay College of Criminal Justice në New York. Dyshja në hulumtimin me titull: Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta, kishte shkruar se si Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte milici e nëntokës, e lidhur me bandat kriminale e me ato të drogës.
Duke shkruar për shpërbërjen e Jugosllavisë, Basha e Arsovska kishin shkruar se si në fillim të viteve ’90, lidershipi shqiptar në Kosovë kishte themeluar institucionet paralele në shëndetësi dhe arsim.
“Procesi i radikalizimit të shqiptarëve të Kosovës u pasua pas vitit 1995. Ballkani gjithashtu përjetoi edhe themelimin e milicisë së nëntokës e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas themelimit të UÇK-së, shqiptarët e Kosovës filluan rebelimin e armatosur kundër autoriteteve serbe (1998-1999)”, kanë shkruar autorët në kapitullin e parë “Shpërbërja e Jugosllavisë”.
Në kapitullin “Ngritja e Krimit të Organizuar Transnacional” nën mestitullin “Diasporat dhe lidhjet kriminale-politike”, Basha, që 13 vjet më vonë në fundgushtin e vitit 2025, me votat e Partisë Demokratike të Kosovës, parti e dalë nga UÇK-ja, propagandonte se si UÇK-ja gjatë ngritjes së saj kishte bashkëpunuar me kriminelët shqiptarë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
“Rekrutimi i ish të burgosurve e banditëve patriotë”
“Rekrutimi i ish të burgosurve, banditëve patriotë dhe kriminelëve të karrierës në luftime kundër armiqve të shtetit ishte i zakonshëm gjatë luftërave jugosllave”, kishte shkruar Basha në këtë hulumtim.
“Me qëllim që UÇK-ja të armatosej, duhej sasi e madhe e parave. UÇK-ja nuk përkrahej zyrtarisht nga ndonjë shtet dhe duhej të varej nga burimet alternative. Sipas rasteve të hulumtuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarët e zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin nëpër Evropën Perëndimore dhe SHBA. Kjo përkrahje nuk ishte kufizuar vetëm në para, por trafikantët e drogës dërguan edhe burra të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe po blinin armë në emër të saj”, thuhej më tej në këtë hulumtim skandaloz të Bashës.
“Për lidhjet mes UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore në Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Republikën Çeke që sugjerojnë për lidhje mes trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhej më tej në “hulumtimin” e tani kryeparlamentarit.
“Plumbat te dera si formë kërcënimi”
Basha në hulumtimin e tij, duke cituar intervista të policëve belgë, kishte shkruar se në Belgjikë, bosi i “Mafisë shqiptare” VH, kishte lënë plumba te dyert e shtëpive nga diaspora shqiptare për t’ua përkujtuar për taksat “vullnetare” që duhej të paguanin për të përkrahur qeverinë në hije dhe UÇK-në në fakt nuk ishin vullnetare. Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi që sigurohej nga banditët patriotë që operonin përtej kufijve”, kishte shkruar ai.
Basha në këtë hulumtim e implikon edhe Xhavit Halitin me krimin e organizuar.
“Xhavit Haliti ishte shef i logjistikës për UÇK-në. Ai drejtonte Fondin Vendlindja Thërret dhe kur fondet u shteruan, “u kthye me të madhe te krimi i organizuar”, thuhej në këtë hulumtim skandaloz të Bashës. (Periskopi)