Ballina Politika “Djegia e mandateve s’ka efekt, duhet të…”/ Gjendja aktuale e opozitës, reagon...

“Djegia e mandateve s’ka efekt, duhet të…”/ Gjendja aktuale e opozitës, reagon deputeti: Ka nevojë për reformim

59
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka ofruar një analizë të drejtpërdrejtë mbi gjendjen aktuale të opozitës, gjatë një interviste televizive.

Çollaku e përshkroi situatën brenda opozitës si të paqartë dhe të mbërthyer në krizat e brendshme, duke theksuar se, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit, krizat e reja duket se po trokasin.

“Ka një konsensus të gjerë, jo vetëm mes drejtuesve dhe deputetëve, por edhe mes militantëve e simpatizantëve, se në këtë gjendje PD nuk mund të fitojë më. Ne kemi nevojë për një reformim të thellë të opozitës në tërësi,” u shpreh ai.

Ai theksoi nevojën për një ndryshim rrënjësor në konceptin dhe strukturën e PD-së, duke rikujtuar se partia duhet të rikthehet tek baza e saj si një forcë politike e elitave, pluralizmit dhe mendimit ndryshe.

“Sa herë që PD ka përjashtuar ata me mendim ndryshe, ka humbur thellë. ADN-ja e PD-së është hapja, përfshirja dhe liria për të kritikuar, madje edhe liderin. Sëmundja që po e gërryen sot është kthimi në një model të Partisë së Punës, gjë që është mohim i vetvetes,” theksoi Çollaku.

Në lidhje me aksionin opozitar, ai theksoi se nuk është për djegien e mandateve, por mbështet idenë e bllokimit të tyre si një mjet presioni për krijimin e një qeverie teknike.

“Djegia e mandateve nuk ka më asnjë efekt. Seanca mbyllet dhe Edi Rama miraton ligje për 3 minuta. Bllokimi i mandateve, deri në krijimin e një qeverie teknike, mund të jetë një rrugë që ia vlen të shqyrtohet,” tha ai, duke shtuar se PD duhet të konsolidojë kontaktin me qytetarët dhe të dalë nga “flluska e realiteteve virtuale”.