Nga Reldar Dedaj
Nevoja për ndryshim brenda forcës politike më të madhe opozitare është sot diçka tepër urgjente. Këtë e ka pranuar publikisht edhe kreu i saj, Sali Berisha. Megjithatë, debati mbi ndryshimin dhe strukturimin e kësaj force politike, edhe pse i domosdoshëm në radhë të parë për vetë simpatizantët dhe më pas për pjesën tjetër të shoqërisë, nuk mund të jetë një proces i thjeshtë. Të gjithë e kuptojnë se shumë shpejt mediat do të përballen me një presion gjithnjë e më të madh për të kufizuar hapësirën e lirisë, gazetarët e pavarur, analistët, intelektualët, pedagogët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të vihen gjithnjë e më shumë nën trysninë e pushtetit për t’ua mbyllur hapësirën e mendimit të lirë, madje edhe për t’i dhunuar më tej, duke i çuar drejt një asfiksimi të ngadalshëm.
Në këtë klimë politike, strukturimi i Partisë Demokratike është jetik dhe i pazëvendësueshëm, por nuk mund të kompletohet nëse shoqëria nuk gëzon një minimum lirie. Vetëm mbi bazën e një hapësire të tillë, mund të ndërtohet një rrjet rezistence shoqërore që synon të pengojë avancimin e një pushteti gjithnjë e më autoritar. Bashkimi i opozitës me elementë të tjerë shoqërorë është i domosdoshëm për të mbrojtur vendin nga përplasja e klaneve kriminale dhe grupeve të interesit, të cilat rrezikojnë të shkatërrojnë përfundimisht mundësinë për një jetë normale. Prej dymbëdhjetë vitesh, Shqipëria ka krijuar institucione politike e ekonomike krejtësisht të zhbalancuara, duke përqendruar pushtetin politik e ekonomik në duart e një grupi të ngushtë dhe duke vendosur pak ose aspak kufizime mbi ushtrimin e tij.
Ky pushtet është bërë njësh me interesa private e kriminale, duke i vendosur në shënjestër interesat publike, pronën dhe jetën e qytetarëve. Në këtë strukturë bashkëpunojnë mazhoranca socialiste, biznesi i madh dhe grupe të tjera interesi me elementë të botës së krimit, duke përfituar në kurriz të shoqërisë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, e kupton mirë se në një hapësirë publike e politike të kontaminuar nga korrupsioni, shpifjet, baltosja dhe urrejtja, një alternativë konstruktive dhe qytetare e ka thuajse të pamundur të dalë në sipërfaqe.
Kjo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një fenomen i izoluar. Një proces i ngjashëm po ndodh në Turqi, ku regjimi i Erdoganit, përmes një autoritarizmi mafioz, po hedh në erë arritjet gati një shekullore të një shteti modern. Shqiptarët, duke parë çfarë po ndodh brenda vendit dhe përreth tyre, nuk kërkojnë thjesht një alternativë politike, por një shans real për të kthyer ndryshimin politik dhe ekonomik në fakt. Sepse më herët apo më vonë, të gjithë do të përballen me pushtetin e Edi Ramës, dhe sa më shumë të shtyhet kjo përballje, aq më e madhe do të jetë kostoja për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.
Shqipëria sot po përjeton një situatë dramatike në çdo dimension të jetës së saj publike. Pritej që zgjedhjet e 11 majit të sillnin ndryshim, por ndodhi e kundërta: pushteti u forcua, përqendrimi u thellua, shumica parlamentare u bë edhe më e theksuar, dhe perspektiva e ndryshimit u largua më shumë se kurrë. Nuk u votua për një vizion gjithëpërfshirës ku të fitonte shoqëria, por për interesat e një pakice të organizuar që ka në dorë vendimmarrjen dhe burimet ekonomike të vendit. Ky rreth i ngushtë, i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës shoqërore, është përfituesi i vetëm i kësaj fitoreje. Për qytetarin e zakonshëm nuk ndryshoi asgjë: problemet mbetën të njëjtat, mungesa e shpresës gjithashtu.
Në këtë realitet, edhe Partia Demokratike si forca më e madhe opozitare është e detyruar të reflektojë. Pjesa më e madhe e elektoratit opozitar, që në numra është më i madh se ai i mazhorancës, mbeti jashtë procesit, i papërfaqësuar. Berisha e ka pranuar se kjo është një nga humbjet më të mëdha politike të opozitës. Ai e di se zgjedhjet u manipuluan dhe qytetarët u shantazhuan, por po aq i vetëdijshëm është se një pjesë e madhe e shoqërisë refuzoi të votojë nga mungesa e alternativës. Ai e di gjithashtu se kjo masë nuk është as pasive dhe as e dorëzuar: është një trup i heshtur shoqëror, i pakënaqur dhe i papërfaqësuar, që ka potencialin të kthehet në një dallgë të papërmbajtshme. Asnjë “digë reformash” nuk mund ta ndalë, sepse pakënaqësia e akumuluar është si uji: gjithmonë gjen një rrugë për të shpërthyer.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri Edi Rama e kupton këtë realitet. Për këtë arsye fitorja e tij e shpallur si “madhështore” nuk i sjell kënaqësi. Ai e di se përtej numrave nuk qëndron besimi i qytetarëve, por vetëm struktura artificiale që e mbajnë përkohësisht në këmbë: institucione të shtetit të drejtësisë të përkulura, media të kapura dhe diplomaci të manipuluara për t’i dhënë pamjen e një demokracie.
Pikërisht përballë një mazhorance të tillë kriminale dhe një pushteti që mbështetet jo mbi vizionin, por mbi mekanizma kontrolli dhe shpërndarje interesash, Partia Demokratike nuk mund të mbetet e shpërndarë dhe e çorganizuar. Ajo duhet të rikthejë strukturimin e saj të brendshëm, të ndërtojë një organizatë funksionale në çdo hallkë, nga qendra deri në bazë, që të mos jetë një trup pa frymë, por një alternativë e besueshme për qytetarët. Ndryshimi nuk duhet të kufizohet vetëm në emra apo figura; më urgjente është krijimi i një mentaliteti të ri dhe një mënyre tjetër të shfaqjes publike. Vetëm një parti e strukturuar, që flet gjuhën e qytetarëve dhe që u transmeton besim, mund ta kthejë energjinë e opozitës së heshtur në një forcë politike reale dhe fituese.