Ballina Europë E pabesueshme/ Ky vend është në një krizë “katastrofike borxhi”

E pabesueshme/ Ky vend është në një krizë “katastrofike borxhi”

15
0

Franca po përballet me një “shpërthim katastrofik borxhi” prej 3.36 trilionë eurosh dhe mund të detyrohet së shpejti të përjetojë turpin e një shpëtimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërsa qeveria e Emmanuel Macron-it është në prag të kolapsit.

Eric Lombard, ministri i Ekonomisë dhe Financave, dha një paralajmërim të ashpër duke thënë se “ekziston një rrezik” që FMN-ja të detyrohet të shpëtojë Parisin.

Ky zbulim vjen mes parashikimeve se qeveria franceze mund të rrëzohet brenda pak javësh pasi kryeministri François Bayrou, 74 vjeç, deklaroi se do të kërkojë një votë mosbesimi në Parlament.

Partitë opozitare, nga e majta radikale e Jean-Luc Mélenchon-it deri tek e djathta e Marine Le Pen-it, janë zotuar ta rrëzojnë Bayrou-në. Edhe anëtarë të kampit të tij e quajtën lëvizjen e tij të pamatur. Nicole Dubre-Chirat, një prej deputeteve të Bayrou-së, e quajti vendimin e tij për të kërkuar një votë besimi “vetëvrasës”.

Nëse ai bie, vendi do të mbetet pa drejtim dhe pa buxhet, në një kohë kur Franca po rëndohet nga një borxh prej 3.36 trilion euro dhe po përballet me një deficit prej 5.4 për qind të PBB-së.

Olivier Blanchard, ish-kryeekonomist francez i FMN-së, tha se një “shpërthim borxhi” do të ishte “katastrofik” për një ekonomi që nuk ka pasur suficit buxhetor që nga viti 1974.

Kriza e afërt ekonomike vjen si një poshtërim për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili dikur pretendonte se ishte “Mozarti i financave”.

Lombard tha se qeveria “shpreson dhe duhet të shmangë” një ngjarje të ngjashme me atë që goditi Britaninë gjatë viteve 1970.

Bayrou pranoi se kombi po përballet me një “zgjedhje mes kaosit dhe përgjegjësisë”. Ai u tha deputetëve se përplasja e ardhshme ishte një “moment i së vërtetës” në një kohë kur “forca dhe mosrespektimi i ligjit po triumfon” në mbarë botën.

Disa komentues sugjerojnë se Bayrou e shkaktoi qëllimisht votimin për të hyrë në histori si një martir në luftën kundër krizës së borxhit. Të tjerë pretendojnë se ai ende ushqen shpresa të zbehta për të qëndruar në pushtet.

Duke folur në një kongres sindikatash të martën, Bayrou deklaroi: “Pesha e borxhit që mbajmë… punëtorët francezë dhe brezat e ardhshëm, do të shtypin nismat dhe, së bashku me kolapsin demografik, rrezikon kontratën sociale të vendit”.

Në një përpjekje të fundit për të fituar mbështetjen e deputetëve të majtë, ai propozoi një taksë për të pasurit: “Lehtësirat fiskale që përfitojnë kryesisht familjet më të pasura dhe grupet e mëdha do të hiqen sa herë që konsiderohen të padrejta ose të padobishme”.

Por thirrjet e tij u injoruan. Jordan Bardella, lideri i ri i Rassemblement National, tha se partia nuk do ta “mbështesë kurrë një votë besimi për një qeveri zgjedhjet e së cilës i bëjnë francezët të vuajnë”.

Tregjet reaguan menjëherë. Aksionet ranë, bankat me ekspozim të madh ndaj borxhit qeveritar u dobësuan dhe norma e interesit për obligacionet dhjetëvjeçare franceze u rrit mbi 3.5 për qind.

Lombard pranoi: “Vë bast se brenda dy javësh borxhi ynë do të kushtojë më shumë se ai i Italisë”.

Për Macron-in, kjo është një kthesë poshtëruese. Anne-Sophie Alsif, kryeekonomiste në BDO consultancy, i tha Le Parisien se që nga vitet 1960 nuk kishte ndodhur që normat franceze të ishin më të larta se ato të Italisë.

Edhe më dramatik ishte paralajmërimi i Lombardit se “ekziston një rrezik që FMN-ja të ndërhyjë”, duke shtuar se qeveria “shpreson dhe duhet të shmangë” një skenar që kujton shpëtimin e Britanisë nga FMN në vitet 1970.

Pak orë më vonë, dukshëm i shqetësuar nga kaosi që shkaktuan deklaratat e tij, ai këmbënguli: “Ekonomia franceze është e fortë… dhe ne financojmë borxhin tonë pa vështirësi. Nuk jemi sot nën kërcënimin e asnjë ndërhyrjeje as nga FMN-ja dhe as nga Banka Qendrore Europiane”.

Bayrou ka propozuar një paketë drastike me shkurtime dhe rritje taksash me vlerë 44.6 miliard euro, duke përfshirë heqjen e dy festave kombëtare dhe reduktimin e shpenzimeve për shëndetësinë. Buxheti ka shkaktuar zemërim në të gjithë spektrin politik.

Votëbesimi i tij, i planifikuar për me 8 shtator, shihet tani si basti i fundit i një kryeministri që i ka ditët të numëruara.

Boris Vallaud nga Partia Socialiste tha se Bayrou praktikisht ka dhënë dorëheqjen. Edhe anëtarë të koalicionit qeverisës po shikojnë përtej tij.

Deputeti Nicolas Metzdorf deklaroi: “Shpresoj që një qeveri e re të emërohet shumë shpejt”.

Marine Le Pen po kërkon zgjedhje të reja. Mélenchon dëshiron që vetë Macron të japë dorëheqjen, duke hapur rrugën për një votim të parakohshëm presidencial.

Por presidenti i dobësuar këmbëngul se nuk do të përsërisë zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar që futën vendin në bllokim politik. Ai vendim i ka kushtuar tashmë një kryeministër, Michel Barnier, që ra pas tre muajsh, dhe tani kërcënon të rrëzojë Bayrou-në pas vetëm nëntë muajsh.

Për më tepër, ekstremistët online po organizojnë një fushatë “le të bllokojmë gjithçka” me greva dhe bllokime rrugësh duke filluar nga 10 shtatori.

Lëvizja, e lindur nga qarqet e djathta ekstreme, por e përqafuar shpejt nga sindikatat dhe e majta, është bërë virale. Grupet në Telegram po gumëzhijnë me plane për “rrjete rezistence qytetare” dhe bllokime kombëtare.

Edhe qytetarët e zakonshëm janë pas saj, një sondazh i Harris Interactive për radion RTL këtë javë tregoi se 63 për qind e mbështesin lëvizjen.

Në një takim të zjarrtë aktivistësh në Orléans, një folës deklaroi: “Nuk kemi arritur të zmbrapsim shefat, borgjezinë dhe klasën e saj politike sepse nuk e kemi bllokuar vendin”.

Një tjetër shkoi më tej: “Ata duhet të ndiejnë gjylet e topit. Duhet të kenë frikë”.

Është hera e dytë brenda një viti që efekti i shpërndarjes së nxituar të parlamentit nga presidenti Macron në korrik 2024 kërcënon me kaos institucional dhe madje trazira civile.

Larg nga ofrimi i “qartësisë” që Macron dëshironte pas humbjes në zgjedhjet europiane në qershor 2024, Asambleja Kombëtare e sapozgjedhur u nda në tre blloqe mes centristëve, populistëve të djathtë dhe të majtës, duke bërë që asnjë qeveri të mos kishte shpresë për shumicë.

Vetë Macron u largua nga politika e brendshme dhe u detyrua të fokusohej në çështjet ndërkombëtare.

Në vitin 2018, protesta të dhunshme, të njohura si lëvizja e “Jelekëverdhëve”, shpërthyen në të gjithë Francën pasi ai ofroi lëshime ekonomike që pritej t’i kushtonin vendit 10.6 miliardë euro pas një rritjeje të planifikuar të taksës së karburantit.

Presidenti iu drejtua kombit për herë të parë në dhjetor për të folur mbi krizën në përshkallëzim. Ai shpalli një rritje të pagës minimale, ulje taksash për pensionistët dhe masa të tjera për të qetësuar situatën.

Por një lider i lëvizjes së Jelekëverdhëve tha se oferta e Macron-it nuk ishte e mjaftueshme.

Kriza filloi si protesta kundër rritjes së taksës së karburantit, që Macron e braktisi, por shpejt u shndërrua në një demonstrim të gjerë të urrejtjes ndaj qeverisë, drejtuar drejtpërdrejt kundër presidentit, i cili shihej nga shumë si i shkëputur nga klasa punëtore franceze.

Dhe vetëm vitin e kaluar, fermerët francezë bllokuan autostradat kryesore rreth Parisit dhe kërcënuan me bllokadë të kryeqytetit gjatë një përplasjeje në rritje me qeverinë për kushtet e punës, të ardhurat, burokracinë dhe politikat mjedisore.

Fermerët thanë se politikat po dëmtonin aftësinë e tyre për të konkurruar me vende të tjera.

Macron ofroi një sërë lëshimesh për fermerët francezë.

Këto përfshinin braktisjen e një rritjeje të planifikuar të taksës së naftës, ofrimin e rreth 59 milionë euro për fermat organike dhe vendosjen e gjobave për supermarketet që nuk paguajnë mjaftueshëm për produktet franceze.

Megjithëse lëvizja e protestës është shuar, pakënaqësia mbetet e fortë në zonat rurale franceze.