Ballina Lifestyle Lufta me domate në Spanjë, festivali “La Tomatina” lyen qytetin e Bunol...

Lufta me domate në Spanjë, festivali “La Tomatina” lyen qytetin e Bunol me të kuqe si çdo gusht

13
0

Festivali i famshëm “La Tomatina”, u kthye edhe këtë vit në një përvojë të jashtëzakonshme për mijëra pjesëmarrës që mbushën rrugët e qytetit Buñol, në lindje të Spanjës, duke hedhur domate të pjekura mbi njëri-tjetrin.

Spektakli ishte i jashtëzakonshëm. Rreth 20.000 persona krijuan një “lumë të kuq” duke hedhur mbi 120 tonë domate në një betejë kaotike, por të mbushur me energji, muzikë dhe të qeshura.

Organizatorët, të veshur me bluza të gjelbra, hapën rrugën për kamionët që transportonin “municionin” e festës, ndërsa ndërtesat përgjatë rrugëve u mbuluan me çadra mbrojtëse për të shmangur dëmtimet.

Këtë vit, festa kishte një domethënie të veçantë. Qyteti Buñol u përball me përmbytje të rënda në tetor të vitit 2024, dhe për këtë arsye, edicioni i këtij viti u zhvillua me moton “Domatoterapi”, duke sjellë një ndjenjë rikuperimi simbolik për qytetin dhe banorët e tij.

Festivali i vitit 2025 shënon 80-vjetorin nga “lufta” e parë me domate në vitin 1945. Gjatë dekadave, “La Tomatina” është shndërruar në një ngjarje me përmasa ndërkombëtare, duke tërhequr turistë dhe vizitorë nga mbarë bota. Vetëm dy herë gjatë viteve të fundit, për shkak të pandemisë, festivali nuk është zhvilluar.

Për të garantuar një përvojë më të sigurt, pjesëmarrësve u kërkohet të shtypin domatet para se t’i hedhin, për të zbutur goditjen. Megjithatë, shumë prej tyre zgjedhin të mbajnë syze mbrojtëse dhe tapa për veshët.

Organizatorët theksojnë se domatet e përdorura nuk janë të ngrënshme dhe kultivohen enkas për këtë ngjarje festive.