Një 22 vjeçar është arrestuar në tunelin e Murrizit pasi në makinën e tij u gjetën 2 automatikë e 4 krehër.
Policia publikoi pamjet e operacionit të arrestimit të Ardit Doçit si dhe sekuestrimin e armëve që iu gjetën në bagazhin e makinës.
Në pamje duken mbi 9 efektivë që vrapojnë drejt makinës së 22 vjeçarit për ta ndaluar. Tre efektivë i drejtojnë pistoletën ndërsa njëri e tërheq me forcë në tokë për ti vendosur prangat.
Më pas gjatë kontrollit në bagazh i gjejnë të fshehura 2 automatikët kallashnikovë.
Nga hetimet i riu do transportonte armët nga Burreli në Tiranë për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, informoi sot policia.
Operacioni u kodua ‘Tuneli’
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.