Ballina Aktualitet Projektligji në Kuvend, lejimi i gjuetisë vetëm në zona të miratuara

Projektligji në Kuvend, lejimi i gjuetisë vetëm në zona të miratuara

83
0

Pas më shumë se një dekade moratoriumi për gjuetinë do të hiqet. Qeveria ka miratuar dhe dërguar në Kuvend projektligjin që parashikon lejimin e gjuetisë vetëm në zonat e miratuara me ligj dhe gjuetarët do të kalojnë një test për të marrë lejen 5-vjeçare për të këtë aktivitet.

Gjithashtu me miratimin e zonave të lejuara të gjuetisë do të përjashtohet gjuetia në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë.

Qëllimi i draftligjjit të ri është përmirësimi i ligjit aktual në disa aspekte dhe nene të caktuara të tij, duke garantuar të drejtën e ushtrimit të gjuetisë dhe të të drejtave mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre si dhe do të inkurajojë përfshirjen e gjuetarëve në monitorimin, menaxhimin dhe kërkimin me qëllim përkujdesjen dhe ruajtjen e faunës së egër dhe të habitatit të saj.

“Me miratimin e këtij draftligji, gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara të gjuetisë dhe do të përjashtohen të gjitha territoret e tjera në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj.

Në projektligjin e ri që pritet të miratohet në Parlament, synohet që t’u jepet me shumë përgjegjësi shoqatave për gjuetinë dhe të menaxhojnë territoret e tyre.

“Futja e një koncepti të ri në këtë fushë, ajo e menaxhuesit të zonës së gjuetisë, i cili është personi kyç që në zonën e tij të gjuetisë do të sigurojë funksionimin e shërbimit profesional e do të organizojë veprimtarinë e gjuetisë, i cili do të zgjidhet sipas një procedure ligjore konkurimi. Rëndësi merr edhe zhvillimi i instrumenteve ligjore për të mundësuar marrjen e masave konkrete për menaxhimin e terreneve në favor të biodiversitetit”, thuhet në projektligj.

“Gjuetarët detyrohen të mbajnë kontakte me autoritetet dhe shoqëritë përgjegjëse për marrjen e masave të gjuetisë për të luftuar gjuetinë e paligjshme në mënyrë që të arrihet në një gjueti të përgjegjshme”, detajohet më tej në projektligj.

Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti.

“Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore, private apo në përdorim  të kombinuar zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha zonat e gjuetisë dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë. Zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë”, thuhet në projektligj.