Ballina Editorial Shqipëria kuturu, askush nuk ka siguri për të ardhmen!

Shqipëria kuturu, askush nuk ka siguri për të ardhmen!

22
0

Nga Spartak Ngjela

Askush nuk e ka thënë deri tani se si dhe në çfarë mënyre është organizuar jeta jonë në Shqipëri.

Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?

Kjo është pyetja kryesore që e bëjnë të gjithë.

Por edhe pse një pyetje thelbësore për jetën kombëtare; askush nuk mund t’i përgjigjet dot sot kësaj pyetjeje.

Por nëse në një shtet të një shoqërie të caktuar bëhet kjo pyetje dhe nuk merr një përgjigje; ai shtet apo ai vend mund të quhet se nuk është askund.

E pra, çfarë po ndodh sot në Shqipëri?

Askush nuk di t’i përgjigjet.

Domethënë se nuk po ndodh asgjë në lidhje me zhvillimin dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare.

Atëherë, për faktin që në Shqipëri nuk po ndodh asgjë në lidhje me progresin dhe zhvillimin e saj, kuptohet që ne shqiptarët nuk mund ta dimë se si do ta kemi të ardhmen.

Por ama edhe pse jemi në një gjendje të tillë me enigmë në shpirt për të ardhmen, ne ndjekim televizionet shqiptarë e të huaj; bisedojmë me qartësi nëpër kafenetë luksoze në Tiranë e në të gjithë qytetet e mëdhenj të Shqipërisë; por askush nuk bisedon për të ardhmen e afërt; sepse nuk di se çfarë të thotë.

Atëherë kjo tregon që ne shqiptarët jemi në një pritje abstrakte.

Por si dhe në çfarë mënyre është e organizuar jeta në Shqipëri me këtë pritje?

Vetëm në pritje të një mundësie që mund të na jepet. Por nga kush dhe, si e në çfarë mënyre?

Por ja, pikërisht këtu qëndron thelbi i asaj që ne kërkojmë të mësojmë në lidhje me të ardhmen tonë.

Kjo ndodh sepse…

Askush nuk e ka thënë deri tani se si dhe në çfarë mënyre është organizuar jeta jonë në Shqipëri.

Sepse jeta në Shqipëri sot është e paorganizuar në funksion të dijes; profesionit; punës dhe garancisë për të ardhmen e shoqërisë dhe prandaj gjithmonë, gjithçka qëndron në një padije të plotë për pyetjen thelbësore të një shoqërie:

Çfarë do të ndodhë nesër në lidhje me mirëqenien; punën; profesionin dhe garancinë për jetën në Shqipëri?

Dhe përgjigjja është:

Askush nuk e di dhe nuk e mendon dot realisht se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri në lidhje me jetën e shqiptarëve.

Dhe kjo në shqipen e vjetër është quajtur: një ecje kuturu.