Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me një vendim të Gjykatës së Apelit në Zvicër, e cila, sipas tij, ka hedhur poshtë përdorimin e të dhënave të siguruara nga aplikacioni i komunikimit të enkriptuar SKY ECC në proceset penale.
Sipas Manjanit, drejtësia zvicerane ka dalë me një qëndrim të qartë se përgjimet masive janë të paligjshme dhe nuk mund të përdoren kundër individëve në procedime gjyqësore. Ai nënvizon se kjo praktikë përbën shkelje të të drejtës për privatësi dhe të procesit të rregullt ligjor sipas Konventës Europiane.
Në reagimin e tij, ish-ministri ka hedhur akuza ndaj sistemit shqiptar të drejtësisë dhe SPAK-ut, duke theksuar se gjykatat shqiptare prej dy vitesh injorojnë standardet që vendet perëndimore tashmë i kanë pranuar. Manjani pyet se kur do të nisë Gjykata Kushtetuese shqiptare të mbrojë të drejtat e qytetarëve në përputhje me Konventën, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit:
Me gjykimin në Apel, më e larta e gjykimit në nivel Kantoni, mund të themi krejt pa entuziazëm, se Zvicra përfundimisht e rrëzon përdorimin gjyqsor të të dhënave të SKY ECC.
Drejtësia Zvicerane thotë prerë se:
1. Të dhënat e marea nga SKY ECC janë rezultat i përgjimit masiv, ku shumica e të përgjuarve nuk kanë qenë në ndjekje penale.
2. Përgjimi masiv është i paligjshëm, për pasoj i papërdorshëm në një procedim penal ndaj një individi.
3. Përgjimi ndaj personave që nuk janë në ndjekje penale si të dyshuar, përbën ndërhyrje të rëndë në privatësinë e individit.
4. Autenticiteti i të dhënave e marra në mënyrë masive është i paverifikueshëm.
5. Gjykimi penal me këto të dhëna përbën shkelje e të drejtës për proces të rregullt sipas standarteve të Konvetës Europiane.
Këto janë konkluzionet themelore të gjykatës Zvicerane.
Janë konkluzione që, më kot, po kërkojmë tash 2 vite që ti marrin gjykatat tona, të cilat janë nën “drejtimin” e SPAK.
Meqë ra fjala tek SPAK, doni më vendime nga perëndimi për të kuptuar se sa larg jeni ju nga zbulimi i të vërtetës dhe proceset e rregullta ligjore?!
Na kërkuat mediatikisht vendime nga perëndimi?
Urdhnoni!
Gjermania, Spanja, Zvicra dhe Amerika vendosin në favor të gjykimit të rregult ligjor, jo në favor të prokurorëve të karikuar me protagonizëm.
Po gjykata jonë kushtetuese kur do fillojë të marrë haber nga dhënia e garancive kushtetuese për gjykim të drejtë?!
A vlejnë Konventa, Kushtetuta dhe ligjet e kësaj Republike për shtetasit shqiptarë apo jo?!