Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka kërkuar largimin e kryeparlamentarit Dimal Basha nga posti që mori dy ditë më parë.
Një punim i vitit 2012, në të cilin bashkautor ishte edhe Basha i Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Në punimin me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Pas raportimeve nga mediat për këtë punim, Basha mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të enjten, në një konferencë për media, ai u distancua sërish nga artikulli kundër UÇK-së.
“Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp! Dorëheqje ose shkarkim!”, ka shkruar Izmaku në Facebook.
“Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së, edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës”, është shprehur ajo.
“Një njeri që ka bashkautorësi në punime shkencore kundër UÇK-së, në linjë me Serbinë, Dik Martyn dhe Rusinë, nuk mund dhe nuk guxon të udhëheqë Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Izmaku.
Deputetja e Nismës ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputetë të të cilave votuan për zgjedhjen e Bashës kryeparlamentar, duhet të japin llogari për, siç ka thënë ajo, “këtë shkarje të rëndë”.
“Punimet shkencore nuk botohen me bashkautorësi pa besim dhe pa përputhje në qëndrime. Me votën e tyre, ata e bënë këtë narrativë pjesë të institucionit më të lartë të vendit”, është shprehur Izmaku.