Bizneset që operojnë në vend duhet të jenë më të kujdesshëm në aktivitetin e tyre pasi Kodi i ri Penal i hedhur për konsultim publik vë në shënjestër çdo tentativë për evazion apo pasaktësi.
Konkretisht referuar dokumentit voluminoz, “krijimi i skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që zvogëlojnë detyrimin tatimor me qëllim rritjen e vlerës kreditore të rimbursueshme të tij, nëpërmjet lëshimit të faturave të falsifikuara, apo manipulimit të sistemit kontabël të llogarive, qe kane si efekt zvogëlimin e buxhetit te shtetit, dënohet me burgim nga 3-8 vjet”.
Nga ana tjetër evazioni nëpërmjet transaksioneve të pakryera përbën vepër penale. Konkretisht “paraqitja e të dhënave të pavërteta nëpërmjet faturave të falsifikuara që u takojnë transaksioneve të pakryera, marrëveshjeve apo sjelljeve mashtruese, apo manipulimit të sistemit kontabël të llogarive, të bëra me synimin e kryerjes së evazionit tatimor, dënohet me burgim nga 4-9 vjet.
Në draft përcaktohet gjithashtu se shkelja e detyrimit për mbajtjen e dokumentacionit të të dhënave tatimore nga ana e bizneseve dënohet me 1-5 vjet burg.
Paraqitja e qëllimshme e dokumenteve apo kërkesave të falsifikuara, ose qëllimisht të paplota, përpara autoritetit tatimor, për të mbështetur kthimin e paligjshëm të detyrimeve tatimore të paguara më parë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.
Prishja e shenjave dalluese të vendosura nga administrata tatimore për bllokimin apo pezullimin e veprimtarisë tregtare, ose ushtrimi i veprimtarisë tregtare pas njoftimit të vendimit të administratës tatimore për bllokimin apo pezullimin e saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet.
Mospagimi vullnetar i detyrimeve që bazohen mbi vetëdeklarimin e tyre, pjesërisht apo plotësisht, ose në afatin e caktuar në ligjin përkatës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.
Ndërhyrja në funksionimin e rregullt të pajisjeve fiskale, pajisjeve elektronike të faturimit, me qëllim mosregjistrimin e plotë të të dhënave për efekt të evazionit fiskal, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet.
Po ashtu, krijimi i planeve, rrethanave apo gjetja e bashkëpunëtorëve për të kryer evazion serioz fiskal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.