Ballina Dossier Familja nga Tepelena që i vuri Fletë-Rrufe Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

Familja nga Tepelena që i vuri Fletë-Rrufe Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

18
0

Nga Dashnor Kaloçi

Në mesin e viteve ’60-të, ndërsa hidhte parullën e famshme: “cilido pa frikë dhe me gërma të mëdha, të shkruaj se çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit”, (gjë të cilën e kishte huazuar prej “daci-baove” të aplikuara gjatë “Revolucionit Kulturor” në Republikën Popullore të Kinës së udhëhequr prej Mao Ce Dunit), slogan i cili, që nga ajo kohë dhe deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1990, do të zinte vendin kryesor në çdo tabelë emulacioni ku viheshin “Fletë – Rrufetë”, në qendrat e qyteteve, ndërmarrjeve prodhuese, reparteve ushtarake, shkollave, institucioneve të ndryshme etj., udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, zor se do ta kishte çuar nëpër mënd se; dikush “pa frikë dhe më shkronja të mëdha”, do të shkruante dhe për të, madje duke e vendosur atë “Fletë-Rrufe”, në qendër të Tiranës?!

Madje jo vetëm kaq, por autorët e asaj “Fletë-Rrufeje”, banorë të një prej fshatrave të humbur të rrethit të Tepelenës, do të guxonin për t’i kërkuar llogari sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë Enver Hoxhës dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehut, se përse ata të dy, nuk u ishin përgjigjur letrave të tyre dhe gjithashtu nuk kishin denjuar për t’i pritur në takim, në mënyrë që ata të bisedonin për hallin e madh që kishin dhe nuk po gjenin zgjidhje, as nga Komiteti i Partisë dhe ai Ekzekutiv i rrethit të tyre dhe as nga institucionet qendrore të shtetit?!

Por edhe pse iu besuan verbërisht “mësimeve të Partisë dhe shokut Enver”, duke vënë atë Fletë-Rrufe në mes të Tiranës, të nëntë pjesëtarët e familjes tepelenase, jo vetëm që nuk zgjidhën gjë nga halli dhe problemi madhi tyre, për të cilin kishin vite që rropateshin dyerve të Partisë dhe shtetit, por përkundrazi; ata u “demaskuan” nëpër disa mbledhje të organizuara nga Komiteti i Partisë së rrethit në qendrën e tyre të punës dhe më në fund u arrestuan, duke përfunduar burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar.

Po kush ishin nëntë pjesëtarët e familjes tepelenase që guxuan t’i vinin “Fletë-Rrufe” Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut?! Cili ishte halli dhe problem i tyre dhe ku ishin ankuar ata më parë se të merrnin vendimin për vënien e asaj “Fletë-Rrufeje” në mes të Tiranës? Përse Komiteti i Partisë së rrethit të Tepelenës u detyrua që të organizonte një mbledhje demaskuese për pjesëtarët e asaj familje dhe cilat ishin akuzat ndaj tyre dhe ata që i artikuluan ato?

Për të gjitha këto e të tjera nga kjo ngjarje, nga më të rrallat, madje do të thoshim unike në të gjithë periudhën e regjimit komunist, na njohin dokumentet arkivore (të nxjerra nga Arkiva e Ministrisë së Brendshme), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.

DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME TEKSTIN E PLOTË TË FLETË-RRUFESË QË PJESËTARËT E FAMILJES ZIKA NGA TEPELENA, I VUNË ENVER HOXHËS DHE KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, MË 5 MAJ 1973, NË QENDËR TË TIRANËS

                                                       FLETË-RRUFË

                              KOMITETIT QENDROR TË P. P. SH. SHOKUT ENVER HOXHA

                      KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË R. P. SH. SHOKUT MEHMET SHEHU

“Cilido ka të drejtë të shkruaj me shkronja të mëdha, çmendon ai për punën dhe për njerëzit”. Enver

Me që rrugët për takim me ju, janë të zëna, po ju drejtohemi me këtë fletë-rrufe për shqyrtim.

Nëntë pjesëtarë të familjes së Gani Zikaj Tepelenë, kemi nderin t’ju parashtrojmë kërkesën tonë si vijon:

Jemi larguar nga fshati Luftinjë Nr. 2. Qysh në vitin 19060, familjarisht, në vitin 1963 kemi bërë kërkesë për pasaportizimin në qytetin e Tepelenës, dhe na pasaportizuan me vendimin e Komitetit Ekzekutiv rrethit Tepelenë, Nr. 154, datë 27.8.1963.

Gjatë kësaj kohe kemi kërkuar strehim, por nuk na kanë dhënë, banonim në lagjen Malas me qera provizorisht, për deri sa të na stabilizonin me shtëpi në qytetin e Tepelenës.

Në të njëjtën kohë, kur familjet vendase duke vatur dhe disponuar pasuri, tarafllëk dhe përkrahje nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit dhe Komiteti i Partisë rrethit, ngritën arbitrarisht shtëpi banimi në qytetin e Tepelenës.

Ne kërkuam truall, por nuk na dhanë. Kërkesat tona vazhduan nga viti 1965, deri në vitin 1970. Së fundi ju drejtuam juve me anën e një letre, ku përgjigjja vjen në Komitetin e Partisë dhe na thonë se drejtohuni Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit për truall dhe ne kështu bëmë, por pa rezultat.

Përgjigjja qe: “nuk disponojmë truall, të plotësojmë kërkesën tuaj, prandaj drejtohuni Komitetit Ekzekutiv të qytetit për strehim”.

Meqë kërkesat nuk po na plotësoheshin, më 20/3/1970, blemë në lagjen Kala një palë shtëpi (ku kishim dhe pasaportizimin). Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit, duke u bazuar në të dhëna fallco dhe duke mbrojtur rrjetin miqësor dhe familjaritetin e sëmurë krijuar midis tyre, kanë dhënë vendim të largoheshim nga shtëpia e blerë, duke penguar kryerjen e dokumenteve noteriale, duke mos na njoftuar vendimin e anullimit të pasaportizimit dhe as atë për largim nga shtëpia, por duke ja dhënë Degës së Punëve të Brendshme për ekzekutim dhe me 1.3.1971, këto organe ekzekutojnë vendimin, duke marrë të gjitha rrobat e shtëpisë dhe i çojnë në Fermë, ku i lanë për katër ditë në shi, u dëmtuan rëndë materialet e shtëpisë, sikur kjo pronë të qe prona e ndonjë çifligari, që i kish pirë gjakun popullit dhe jo që qenë rrobat e një punëtori të varfër, që në të kaluarën se kish ngopur barkun me bukë, dhe sot në sajë të Partisë dhe të Pushtetit, arrin të marrë frymë lirisht.

Harruan që rrobat ishin vënë me mundim, që çdo lek ishte marrë me djersë dhe me njolla gjaku, ashtu si çdo dollar amerikan, që ka vulën e punëtorit të varfër. Për tre muaj rresht, ndodhej për ankesa pranë Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryeministrisë, një nga pjesëtarët e familjes tonë dhe që nuk ju krijuan mundësitë e takimit me ju, duke ju dalë dhe në rrugë më 25/5.1971 (për takim).

Më 25/5/1971, u organizua një mbledhje në N.B.Sh., me rastin e blerjes së shtëpisë. Megjithëse në mbledhje merrnin pjesë të Partisë dhe të Pushtetit në rreth, kjo u kthye në një tribunë shpifjesh nga më të poshtrat kundër familjes tonë, sigurisht që kjo ishte e përgatitur, për të lënë problemin tonë të pazgjidhur, për të diskretituar politikisht dhe moralisht familjen tonë.

Qysh në fillim të mbledhjes, Fido Rusto (shefi i organizimit pranë Komitetit Ekzekutiv), tha: “Mendoj që kolektivi juaj, të përkrahi mendimin tonë”. Shoku Thoma Laçi (ish-dublant pranë N.B.SH.), vazhdoi: “Ganiu duhet dënuar, mbasi e shoqja e tij është kushërirë e Xhemal Brahimit, tradhtarit me damkë”, që familja jonë s’ka të bëjë me të, qoftë dhe farefisi jonë.

Ramadan Hasaj (sot, sekretar i organizatës bazë të sektorit, vazhdoi: “Ganiu kërkon që të kthehet e kaluara, për të cilën vëllai i tij ra dëshmor me Ballin dhe i është pushkatuar nga partia”.

Pelivan Bani (shefi i sektorit F – punëtore N.B.SH.), vazhdoi: “edhe unë kam bërë gabim që kam ndihmuar djalin e tij të plagosur me bombë, që jam lyer edhe unë me gjakun e armikut”!

Ja çmendon ai për një fëmijë të mitur dhe vetë harron që është nipi i Ismail Sejfos, armikut me damkë?! Ç’i detyron këta tre komunistë të shpifin dhe kujt i shërben kjo? Kundër shpifjeve ngritëm dhe padi civile e nuk u pranua, duke thënë se janë fjalë me përgjegjësi (kështu i lejohet një komunisti të flasë dhe shpifë në mbledhje, pa përgjegjësi?).

Duke u bazuar në vendimin e pasaportizimit, Nr.154, datë 27/3/1963, si dhe dokumenta të tjera lëshuar nga ai komitet, fletë-mirësjelljen e organizatës bazë të partisë së fshatit dhe Këshillit Popullor, Luftinjë Nr. 2, kërkojmë:

                            Me nder dhe respekt

                        Nga nëntë pjesëtarët e familjes

                                   Gani Zikaj

                                 N.B.SH. Tepelenë

                                 5.5.1973

DOKUMENTET ARKIVORE ME KOMUNIKATAT E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME PËR PROBLEMIN E FLETË-RRUFESË TË FAMILJES ZIKAJ NGA TEPELENA, NË ADRESË TË ENVER HOXHËS DHE MEHMET SHEHUT DHE SHËNIMET E ZYRTARËVE TË LARTË

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË         Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME         Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E ADMINISTR. E STUDIMEVE     Tiranë, më 10.5.1973

                                                         KOMUNIKATE OPERATIVE NR.109

Kjo kartelë, bashkëngjitet komunikatës, bashkë me dy materialet, për ruajtje të përkohshme

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË         Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME         Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E ADMINISTR. E STUDIMEVE     Tiranë, më 16.5.1973 

                                                       KOMUNIKATE OPERATIVE NR.104

Më 15.5.1973, me kërkesën e punëtorëve të N.B.SH. Tepelenë, u arrestuan Enver, Drita dhe Gani Zika, nga katundi Luftinjë, punëtorë në N.B.SH., si bashkëpunëtorë krimi me të atin e tyre, Gani Çerçiz Zika, i cili është arrestuar më datën 9.5.’73, për një fletë-rrufe të vendosur në Tiranë, ku përmbaheshin shpifje të bëra nga këta.

                         ZV. DREJTORI

                    SHKËLZEN BAJRAKTARI

NXJERRË NGA KOMUNIKATA OPERATIVE NR. 109 DATË 10.5.1973

MË 9.5.1973, u arrestua Gani Çerçiz Gjika, vjeç 73, nga katundi Luftinjë, për arsye se më 5.5.’73, ka vendosur një flet-rrufe në Tiranë, ku shpif dhe diskrediton me qëllim, dinjitetin e organeve të Partisë dhe të pushtetit.

Sh. Ministër bënë këtë shënim: “Drejtorisë së parë, Hetuesisë, – Çfarë ka shkruar, më thoni? Sa bazohet arrestimi”?

Lutemi, mbasi të njoftohet shoku ministër, mbi sa kërkon, të na kthehet kartella, me shënim mbi zbatimin. Mundësisht, sa më shpejt.

                              Vërtetohet një me origjinalin

                                       Hamit Gjoshi

T’i raportojë Sekretarit të Parë dhe jo ne.

             Kadri Hazbiu

Folëm me gjykatën, prokurorinë, për të ri parë, nëse kanë të drejtë, sepse burgosja e 3 vetave, në një familje,…..është e vështirë,….t’i bëhet me dije shokut Haki Toska.

                     11.7. 73

                         SHËNIM

Mbi sa urdhëron shoku ministër informojmë se:

Fletë-rrufeja e vendosur në emër të familjes Gani Zikaj në qytetin e Tiranës, i drejtohet shokut Enver dhe shokut Mehmet.

Midis shumë të tjerash në fletë-rrufe shkruhet: “Me që rrugët për takim me ju, janë të zëna, po ju drejtohem me këtë fletë-rrufe”.

Më poshtë shkruhet: “Familjet vendase, duke patur dhe disponuar para, tarafllëk dhe përkrahje nga Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv, ngritën arbitrarisht banesa në qytetin e Tepelenës”.

‘Më datën 23/3/1970, blemë një palë shtëpi. Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor, duke u bazuar në të dhëna fallco dhe duke mbrojtur rrjetin miqësor dhe familjaritetin e sëmurë, kanë dhënë vendim të largohem nga shtëpia e blerë….! Dega e Punëve të Brendshme, duke ekzekutuar këtë vendim, i çuan rrobat e shtëpisë në Fermë, duke i lënë për 4 ditë në shi”.

Mbi këtë bazë, me aprovim të Prokurorit, u arrestua Gani Zikaj.

Gjatë hetimeve e sidomos gjatë hetimit popullor që u krye në N.B.Sh. (Ndërmarrja Bujqësore Shtetërore,) Tepelenë, rezultoi se i përmenduri, në bashkëpunim me djalin e tij, Enver Zikaj dhe vajzën Drita Zikaj, kishin shpifur, jo vetëm sa kanë shkruar në fletë-rrufenë e tyre, por edhe në biseda me persona të tjerë.

Për këto arsye dhe për shkak se Enveri dhe Drita, mbajtën qëndrim shumë të keq në mbledhjen e kolektivit, që u bë me rastin e hetimit popullor, duke shpifur në adresë të komitetit të Partisë, dhe Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, si dhe në adresë të personave të veçantë, Prokurori urdhëroj arrestimin e tyre.

Fajësia për tre të pandehurit e mësipërm, u provua nga deponimet e shumë dëshmitarëve. Si përfundim, gjykata e rrethit të Tepelenës, ka dënuar për krimin e shpifjes, të pandehurin Gani Zikaj, me 1 vit privim lirie, Enver Zikaj me 2 vjet dhe Drita Zikaj, me një vit e gjysëm, privim lirie. / Memorie.al

               KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË

                         KAPLLAN SAKO

                         Tiranë, më 26/6/973