Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njoftoi ndalimin e shtetasit Sh. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe shpalljen në kërkim të shtetasit B. B., 41 vjeç, banues në Shkodër, për dyshimin e përfshirjes në një rast ryshfeti.
Sipas policisë, B. B. dyshohet se i ka dhënë 1,500 euro shtetasit Sh. S., i cili i kishte premtuar se mund të ndërhynte te institucionet vendore për legalizimin e një prone private në emër të nënës së tij, në lagjen “10 Korriku” të Shkodrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare po punojnë për kapjen e shtetasit B. B., ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.