Arsimi i lartë shqiptar bëri një hap të ri drejt ndërkombëtarizimit. Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1, e përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm Olsi Shahini, dhe Western Balkans University, me rektorin Prof. Ferdinand Gjana, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që do të mundësojë akomodimin e studentëve të huaj në kryeqytet.
Sipas marrëveshjes, rreth 200 studentë ndërkombëtarë të regjistruar në Western Balkans University do të sistemohen në rezidencat moderne pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Kamëz.
Këto rezidenca janë rikonstruktuar dhe konceptuar si mini-apartamente bashkëkohore, duke u ofruar studentëve standarde të krahasueshme me ato të universiteteve evropiane. Çdo njësi ka nyje sanitare private, ndërsa infrastruktura e përgjithshme përfshin dhoma dyshe komode, salla leximi, ambiente kompjuterash të pajisura me teknologji të avancuar, kuzhina të përbashkëta funksionale dhe shërbim lavanderie.
“Synimi ynë është t’u ofrojmë studentëve jo vetëm një arsim cilësor, por edhe një përvojë jetese të sigurt dhe të përshtatshme. Kjo marrëveshje është një hap konkret në këtë drejtim,” u shpreh rektori i Western Balkans University, Prof. Ferdinand Gjana.
Nga ana e tij, drejtori i Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1, Olsi Shahini, theksoi se mbështetja institucionale është thelbësore për integrimin e studentëve të huaj në Shqipëri:
“Rezidencat tona ofrojnë standarde të larta dhe një mjedis mikpritës për çdo të ri që vjen nga jashtë. Ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për ta bërë Tiranën një qendër tërheqëse për studimet universitare.”
Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë e huaj si një destinacion serioz për studime. Përveç lehtësimit të jetës akademike të tyre, iniciativa të tilla e forcojnë imazhin e vendit si një qendër rajonale e arsimit dhe kulturës.
Me këtë hap të ri, Tirana afirmohet jo vetëm si kryeqytet politik e kulturor, por edhe si një pikë e rëndësishme në hartën ndërkombëtare të edukimit.