Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në një lokal pranë parkut të qytetit të Korçës, ku një konflikt mes disa personave ka përfunduar me plagosje me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, tre persona kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre duke marrë mjekim në spitalin e Korçës, ndërsa njëri ka marrë plagë në bark dhe një tjetër në gjoks.
Sipas raportimeve për Syri, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive banale, ku janë përfshirë dy grupe personash.
Një prej të plagosurve ka marrë plagë më të rënda dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Policia ka nisur shoqërimet e personave të përfshirë në konflikt. Mësohet se janë shoqëruar më shumë se tre persona nga të dyja palët e përfshira në sherr. Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe identitetin e të gjithë personave të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21:30, në lagjen nr. 1, Korçë, në ambientet e një lokali, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë dëmtuar, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasit S. Sh. dhe M. Xh., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, tre shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt, të dyshuar si autorë, konkretisht shtetasit I. Sh., D. P. dhe G. D.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.