Evropa po punon mbi plane “mjaft të qarta” për dërgimin e trupave në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë pas përfundimit të luftës, deklaron presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në një intervistë për Financial Times.
Von der Leyen e cilëson çështjen si “kritike dhe me rëndësi madhore” për sigurinë e Ukrainës. Ajo thotë se ekziston tashmë një “hartë e qartë rruge” dhe një marrëveshje paraprake me Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se mbështetja amerikane për këto garanci është e garantuar.
“Presidenti i SHBA na ka siguruar se do të ketë prezencë amerikane si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën, dhe kjo është konfirmuar në mënyrë të përsëritur,” theksoi ajo.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur debati për sigurinë e Ukrainës pas luftës po intensifikohet, ndërsa vendet evropiane dhe aleatët perëndimorë po shqyrtojnë hapa konkretë për të garantuar që agresioni rus të mos përsëritet.