Ballina Kulturë Arti në zi, shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti

Arti në zi, shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti

0
8

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti.

Mësohet se Anagnosti ka ndërruar jetë pas mesnate. Ai prej kohësh ishte i sëmurë.

Vajza e tij, Juna Anagnosti lajmëron vdekjen e të atit në rrjetet sociale.

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes!

Lamtumirë babush!”, shkruan e bija.

Pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, artistë, intelektualë dhe personalitete të njohura të kulturës shqiptare kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin e tyre për figurën e tij të jashtëzakonshme.

Një ndër reagimet më të ndjera ka ardhur nga regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, i cili ka ndarë me publikun një mesazh emocional, duke theksuar humbjen e madhe që ka pësuar kinematografia shqiptare.

“Lamtumirë “diktatori i së bukures”,  maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar! Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria  sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë  dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!”, shkruan aktori Shanaj.

Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas një lëngate të gjatë. Ai mbetet një nga emrat më të shquar të historisë së filmit shqiptar, autor i disa prej veprave më përfaqësuese të ekranit shqiptar, si “Komisari i dritës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Të paftuarit” dhe shumë të tjera.