Abu Dabi ka shumë nga gjërat që sërfistët kërkojnë për dallgët perfekte: mot të ngrohtë, diell gjatë gjithë vitit dhe ujëra të pastra. E vetmja gjë që i mungon janë dallgët.
Kjo ndryshoi në tetor të vitit 2024 kur u hap Surf Abu Dhabi, raporton CNN. Në të ofrohen dallgët më të gjata artificiale në botë dhe kompania shpreson se kjo do ta kthejë Abu Dabin në një destinacion global sërfi.
Pishina e dallgëve është 690 metra e gjatë dhe në të mund të sërfoni një dallgë për një minutë. Të gjitha pishinat e tjera janë me ujë të rrjedhshëm, kurse Surf Abu Dhabi është e mbushur me 80 milionë litra ujë deti që pompohen nga Gjiri Persik. Uji është më i kripur se sa në vende të tjera të botës, kështu që Surf Abu Dhabi ul paksa kripësinë.
Dallgët prodhohen nga një krah nënujor që tërhiqet nga levat. Ajo lëviz ujin dhe dyshemeja e pishinës, e quajtur batimetri, shkakton thyerjen e dallgëve. Batimetria e pishinës së Abu Dabit, “ku ndodh e gjithë magjia”, është e patentuar, thotë menaxheri i përgjithshëm, Ryan Watkins.
Teknologjia u krijua nga Kelly Slater, sërfisti profesionist më i suksesshëm në histori. Ai bashkëpunoi me Adam Fincham, një specialist i mekanikës fluide në University of Southern California, për të krijuar dallgën e përsosur. Projekti ishte “matematikisht i tmerrshëm”, tha një prej profesorëve.
Në pishinë lejohen katër sërfistë njëkohësisht në dallgët e ndërmjetme dhe të avancuara, të cilët paguajnë rreth 950 dollarë secili. Sërfistët kanë nga gjashtë dallgë, por mund të marrin shtesë nëse një prej tyre rrëzohet. Sipas Watkins, pjesa më e madhe preferojnë ta rezervojnë pishinën duke paguar rreth 5450 dollarë për 90 minuta.
Industria globale e turizmit të sërfit arriti në 68,3 miliardë dollarë në 2024 dhe mendohet se do të arrijë në 95,93 miliardë në vitin 2030. Surf Abu Dhabi beson se pishina e tyre mund të përcjellë elementin e luksit të këtij tregu. Por për ta bërë këtë, i duhet të bindë klientët se sërfi në pishinë është më i mirë se sa në oqean.