Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se ka zhytur vendin në krizë ekonomike dhe ka ndërtuar një sistem që favorizon vetëm një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa shumica paguan çmimet e larta.
Reagimi i Tabakut erdhi pas publikimit të treguesit të besimit ekonomik për muajin gusht, që sipas saj konfirmon krizën në rritje. Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë, industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë dhe konsumatorët u treguan më pesimistë duke ulur blerjet e tyre.
Sipas saj, kriza më e madhe nuk është vetëm rënia e treguesve, por humbja e besimit tek ekonomia dhe tek e ardhmja.
Postimi i plotë:
Gusht e gunë
As turizmi dhe as propaganda nuk e fshehin dot krizën ekonomike.
Vetëm në gusht, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë.
Industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë.
Edhe konsumatorët u treguan më pesimistë: treguesi i tyre ra me 0.5 pikë. Më pak blerje, më shumë frikë për të ardhmen financiare.
Ndërtimi, dikur krenaria e qeverisë, mbahet gjallë vetëm nga spekulimi me çmime. Ky është sistemi i ndërtuar për një pakicë: taksat e larta i paguan shumica, ndërsa buxheti shpërndahet në korridoret e pushtetit për klientelën e privilegjuar.
Dhe këto nuk janë thjesht shifra por tregues të një realiteti ku shqiptarët po humbasin besimin – tek ekonomia, tek mundësia për një jetë më të mirë, tek e ardhmja në këtë vend.
Dhe kjo është kriza më e madhe. Një sistem që takson rëndë punën dhe shtresën e mesme, ndërsa shpërndan buxhetin në korridoret e pushtetit për pakicën, nuk mund të ndërtojë mirëqenie!